Aktualitet Politikë

Ezaurohet edhe raundi i tretë, Presidenti pritet të zgjidhet në të 4-in nga maxhoranca!

Ezaurohet edhe raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Pas leximit të raportit ku u konfirmua se nuk ishte paraqitur asnjë kandidat, Kuvendi mbylli seancën dhe thirri Konferencën e Kryetarëve për të caktuar raundin tjetër, ndërsa grupi i Alibeajt bojkotoi e nuk ishte në sallë. Ndërkohë, në raundin e katërt dhe atë të pestë, mjaftojnë 71 vota në Kuvend që Shqipëria të ketë emrin e presidentit apo me gjasë, presidentes së re të Republikës.

Numri një i grupit socialist, Taulant Balla tha se në raundin e 4-rt do të propozojnë një kandidat për president. Sipas Ballës, “askush nuk mund ta mbajë peng procesin”.

Ne nuk do ta lëmë vendin pa president. Dëshira jonë është të dialogojmë me gjithkënd që dëshiron që bashkë me ne, të ndajë përgjegjësinë e zgjedhjes së presidentit. Askush nuk mund të marrë peng procesin e zgjedhjes së presidentit. Kemi qenë në gatishmëri për të bashkëpunuar për zgjedhjen e presidentit. Besoj se kemi ardhur në momentin përmbylljes së këtij procesi. Kërkojmë komunikim, dialog më të gjithë deputetët e grupeve parlamentare të opozitës.

Në raundin e katërt, grupi i PS-së do të propozojë një kandidat apo kandidate, në varësi të një procesi që jemi duke e vijuar prej datës 28 prill. Kemi identifikuar dhe vazhdojmë të identifikojmë kandidaturat. Shpresoj të jetë përfundimtar, raundi i katërt.

Ndërkohë, kreu i grupit demokrat, Enkelejd Alibeaj tha se “nuk donin president të njëanshëm, por mbi palët”.

Bëmë detyrën tonë politike, morale dhe kushtetuese për t’i dhënë vendit një president mbi palët. Morëm pjesë në proces, ofruam rregullat e lojës, por u pa qartë se nga ana e Ramës, ndodhi ajo që do të bëjë gjithmonë: të mos mbajë fjalën. Ai u tërhoq. Eshtë detyrë e opozitës për të mos e çuar vendin në një pozitë për të zgjedhur presidentin në mënyrë të njëanshme. Si element të domosdoshëm, kjo kërkon pjesëmarrjen si detyrim politik.

Maxhoranca nuk mori pjesë në proces, vetëm ne morëm pjesë.  Nëse do të ecnim me kandidatura të njëanshme, përsëri do të ishte president i njëanshëm. Qëllimi nuk ishte për të ecur me axhendë të njëanshme. Duhet të ishte një president i përbashkët dhe ne caktuam axhendën. Ishte ideja të zgjidhej një president mbi palët.