Bota

Facebook nën akuzë se “po vret njerëz!”

Për presidentin amerikan, Joe Biden, rrjetet sociale si Facebook janë duke “vrarë njerëzit”. Biden i bëri komentet pasi Shtëpia e Bardhë vazhdon ta kritikojë kompaninë se po lejon postimin e informacioneve të pavërteta rreth vaksinave kundër koronavirusit.

Në kohën kur në Amerikë ka një shqetësim në rritje për përhapjen e koronavirusit të njerëzit e pavaksinuar, shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk u kursye para gazetarëve:

Janë duke vrarë njerëzit! Shikoni, pandemia e vetme që kemi është në mesin e të pavaksinuarve!

Më herët ishte zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, e cila kritikoi gjigantin e rrjeteve sociale.

Qartazi ka hapa që janë marrë! Ato janë kompani të sektorit privat e ka hapa shtesë që duhet të marrin! Eshtë e qartë se ende mbetet për t’u bërë!

Facebook ende nuk ka reaguar ndaj këtyre deklaratave.

Sipas zyrtarëve amerikanë, rritja e re e numrit të të infektuarve dhe viktimave të COVID-it në Shtetet e Bashkuara ka në shënjestër të pavaksinuarit.

Drejtorja e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Dr.Rochelle Walensky:

Ekziston mesazh i qartë: po bëhet pandemia e të pavaksinuarve! Rastet e COVID-19 në Shtetet e Bashkuara janë rritur rreth 70% gjatë javës së fundit, shtrimet në spital, 36% ndërsa vdekjet me 26%.

Shumë persona janë duke refuzuar vaksinimin, pavarësisht procedurave të lehta në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se nuk iu besojnë vaksinave.
Ekspertët vlerësojnë se në rritjen e skepticizmit po ndikojnë postimet e rreme në rrjetet sociale kundër vaksinave.