Politikë

Fati i Ervis Martinaj? Çuçi: Do merrni përgjigje vetëm kur të ketë një provë të fortë

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, iu përgjigj sot interesit të medias mbi fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj.

“Ka patur një vëmendje të posacme për të zbardhur gjithë këtë mjegull. Policia ka bërë dhe bën punën por edhe ka komunikuar me publikun. Keni qenë të informuar për veprime të ndryshme policore.

Duhet të kemi parasysh një gjë. Policia vepron sipas ligjeve, dhe ka përgjegjësi ligjore. Nga policia do merrni përgjigje vetëm kur të ketë një provë të fortë për cfarë ka ngjarë me të. Pjesa e skenareve thashethemeve është i lirë cdo kush ti bëjë, por nuk është cështje e policisë. Policia nuk ka një shkop magjik.” -u shpreh Çuçi.

Në një konferencë për mediat, këtë të mërkurë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, bëri  dhe një analizë të punës së Policisë së Shtetit gjatë vitit 2022. Ai foli për sfidat dhe objektivat për vitin 2023.

Çuçi u shpreh se Policia Kriminale do të riorganizohet brenda vetes së saj. “Gjatë vitit 2022, unë jam shumë i kënaqur që ne kemi bërë atë ristrukturim dhe të ndajmë punën e policisë kriminale nga krimet e lehta, duke u fokusuar gjithnjë e më tepër te krimi i organizuar, vrasjet, lufta ndaj trafikut të drogës. Policia Kriminale, duke filluar nga ky vit do të riorganizohet brenda vetes së saj dhe do të shkëpusë krimet e lehta, duke i konsideruar si krime që kanë më shumë të bëjnë me sigurinë publike dhe me rendin.

Kemi krijuar për herë të parë një drejtori të posaçme që do të merret me fushën e lëndëve narkotike. Ky rikonstruktim do të japë frytet në luftën kundër krimit, bandave të strukturuara. Do ta vazhdojmë ta shtrijmë ata që kemi bërë në drejtorinë qendrore edhe në nivel lokal.

Një rëndësi e madhe i është dhënë edhe momentit të fiksimit të provave për një ngjarje kriminale duke fuqizuar institutin e policisë ligjore”, tha Çuçi.

Ministri i Brendshëm u shpreh se pas sulmit kibernetik do të rritet me 7,6 herë investimi në teknologji.