Aktualitet

Reformimi i sektorit energjetik, Shqipëria 50 milion euro hua!

Shqipëria do të marrë një hua prej 50 milionë eurosh nga KFV Bank për reformimin e sektorit të energjisë në vend. Me vendimin e sotëm të Këshillit të Ministrave u miratua në parim marrja e huasë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se kjo hua do të shërbejë për zhvillimin e sektorit energjetik dhe gjithashtu të planeve të Shqipërisë për diversifikimin e saj deri në 2029. Balluku deklaroi:

Synimi i kësaj është rritja me 4 teravat (TW) i prodhimit të energjisë në vend që do ta kthejë Shqipërinë në një eksportuese neto të energjisë.

Miratuam në parim huanë mes Shqipërisë dhe KFV-së për reformimin e sektorit energjetik, me 50 milion euro. Jemi në rrugë të mbarë, me të gjitha projektet që janë vendosur në afate deri në vitin 2029 e në sektorin energjetik të kemi një prodhim plus 4 teravat, që do e kthejë vendin tonë në një eksportues neto. Kemi një përfundim të suksesshëm të ngritjes së Bursës Energjetike shqiptare duke e nisur tregun e lirë, me këmbën e mbarë.

Edhe ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se kjo hua do të shërbejë në funksion të investimeve në fushën e energjisë. Një tjetër marrëveshje huaje e lidhur me KFV Bank do të jetë edhe për zhvillimin e zonave rurale, ku investimi do të fokusohet në zonat e Pogradecit e të Pustecit. Ibrahimaj u shpreh se KFV do të jap një financim prej 20 milion eurosh e një grant prej 1 milion eurosh për zhvillimin rural që do të rrisë edhe punësimin në zonë.

Miratuam huanë mes Shqipërisë dhe KFV-së për projektin e zhvillimit të integruar rajonal e është për zhvillimin dhe strategjinë e qeverisë për zhvillimin e zonave rurale. Kemi një financim prej 20 milion eurosh e një grant 1 milion euro, që më së shumti do të përdoren në Pogradec e Pustec. Do investohet në zonat rurale ku aty ku ka më shumë nevojë për zhvillim e punësim.