Aktualitet

FMN-ja ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë më 2024-ën!

Lulëzimi turistik i Shqipërisë nuk duket se e ka “bindur” Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) që të jetë optimist për ekonominë shqiptare. Në raportin e fundit të pasqyrës ekonomike globale, të publikuar në prill, FMN-ja ka rishikuar me ulje ecurinë ekonomike të vendit për këtë vit. Fondi pret që ekonomia shqiptare të rritet me 3.1% më 2024-ën, nga 3.3% që ishte vlerësimi fillestar në raportin e tetorit të vitit të kaluar.

Në këtë mënyrë, Shqipëria renditet ndër vendet që do të kenë rritjen më të ulët, e katërta nga gjashtë shtete. Rritjen më të lartë pritet ta ketë Kosova, me 3.8%. Edhe për Kosovën, FMN-ja ka bërë një rishikim të lehtë në ulje, nga 4% që ishte vlerësimi i tetorit. Mali i Zi pritet të ketë një ecuri prej 3.7%, i njëjtë me tetorin.

Rishikimi më i ndjeshëm në rritje është për Serbinë, që tashmë pritet të zgjerohet me 3.5%, nga 3% që ishte vlerësimi fillestar. Për Maqedoninë e Veriut pritet rritje prej 2.7% (0.2 pikë përqindje më shumë) dhe për Bosnjë-Hercegovinën është bërë rishikimi më i fortë në ulje, nga 3% në 2.4%.

FMN-ja pret që inflacioni të ulet në 3.5%, pas një mesatareje prej 4.8% në vitin 2023, për të zbritur pas vitit 2025 në 3%, që është dhe objektivi i Bankës së Shqipërisë. Deficiti i llogarisë korente (që mat transaksionet e mallrave dhe shërbimeve me vendet e tjera) pritet të përkeqësohet lehtë në -3.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), nga 3.7% në vitin 2023.

Për vitin 2023, rritja ekonomike e vendit shënoi rritje me bazë vjetore prej 3,44% sipas vlerësimeve paraprake të INSTAT-it. Në krahasim me vitin 2022, kur PBB-ja u rrit me 4.85% u shënua një ngadalësim.

Ndërtimi, pasuritë e paluajtshme dhe administrata publike kanë qenë kontribuuesit më të mëdhenj të rritjes në vitin 2023, ndërsa industria dhe bujqësia shënuan tendencë negative. Ndonëse Shqipëria shënoi vitin më të mirë turistik në vitin 2023, me më shumë se 10 milion shtetas të huaj që hynë në vend, konsumi ishte mjaft i dobët.

Konsumi i popullatës u rrit me vetëm 2.96% në 2023, nga 7.37% vitin e mëparshëm, duke shënuar nivelet më të ulëta që nga koha e pandemisë. Madje në gjysmën e dytë të vitit kur kulmon turizmi, konsumi u rrit me ritme shumë të ngadalta (2.21% në tremujorin e tretë dhe 1.55% në të katërtin).

Vlerësohet se niveli i lartë i emigracionit, sidomos i të rinjve dhe shtrenjtimi i çmimeve kanë ulur konsumin vendas, që nuk është arritur të kompensohet nga turistët e huaj, që qëndrojnë në Shqipëri për pak ditë dhe janë të prirur të shpenzojnë pak./Monitor