Aktualitet

FMN: Kontratat PPP në Shqipëri të politizuara, mungon monitorimi!

“Partneritetet Publiko-Private (PPP) po bëhen gjithnjë e më shumë një mjet i rëndësishëm për disa vende të Ballkanit Perëndimor për të zvogëluar boshllëqet e tyre në infrastrukturë. Por, mungesa e legjislacionit dhe zbatimi i dobët të tij mund t’i ktheje këto projekte në një rrezik për stabilitetin fiskal”.

Kështu evidenton një studim i fundit “E ardhmja e kontratave PPP në Ballkanin Perëndimor” nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Studimi krahasimor vë në dukje se Shqipëria ka bërë përparime në kuadrin ligjor të kontratave PPP në raport me vendet e tjera të rajonit dhe gjithashtu ka një tavan për financimin vjetor të tyre, por procesi është i politizuar.

Legjislacionet e PPP-ve në Shqipëri, Bosnjë, Kosovë e Mal të Zi në mënyrë eksplicite kërkojnë miratimin e ministrit të Financave për projektet PPP si përpara fillimit të prokurimit, ashtu edhe para nënshkrimit të kontratës. Në Shqipëri, megjithatë, vendimet e PPP mbeten shumë të politizuara në praktikë.

Praktikat kanë treguar se ekonomia ka përfitime kur projektet PPP janë të ideuara e të zbatuara mirë, por gjithashtu mbartin një potencial për rreziqe të mëdha fiskale dhe rritje të kostove nëse nuk menaxhohen mirë.

Programet e PPP-ve quhen të suksesshëm kur legjislacioni mbulon dhe zbatohet në të gjitha fazat e kontratës që nga ideja deri tek përfundimi i saj, por vendet e Ballkanit Perëndimor ndeshën me boshllëqe të mëdha në menaxhimin e tyre.

Njësitë publike të PPP-ve të krijuara në vendet e Ballkanit Perëndimor ndryshojnë në rolet që luajnë. Në Shqipëri, Bosnjë, Kosovë dhe Serbi, njësitë PPP ndihmojnë autoritetet në përgatitjen dhe vlerësimin e projekteve PPP përmes mbështetjes teknike.

Në Shqipëri njësia e PPP-ve është në varësi të Ministrisë së Financave, por nuk është zyrtarisht e mandatuar me funksione të menaxhimit fiskal. Në Maqedoninë e Veriut, duket se njësitë PPP kanë role këshilluese.

Në Malin e Zi, një agjenci është ngarkuar të mbështesë promovimin e PPP-ve (Agjencia e Investimeve Malazeze) me një rol në përgatitjen e projekteve, por jo në prokurim.

Në Turqi nuk ka një njësi qendrore për PPP-të, por Departamenti i Buxhetit ofron mbështetje teknike (analizë dhe vlerësim të projekteve) në kuadër të programit të përgjithshëm të investimeve publike i cili përfshin PPP-të.

Njësitë e PPP-ve në Kosovë e Serbi i kryejnë të dyja funksionet, promovimin dhe menaxhimin fiskal. FMN vë në dukje se në disa vende, kuadri ligjor i PPP-ve mbetet i fragmentuar, teksa shumica e vendeve duhet të krijojnë procese të integruara të planifikimit të investimeve publike për identifikimin e projekteve prioritare.

Kuadri qeverisës për PPP-të duhet të udhëhiqet nga Ministri i Financave, me një rol kyç dhe aktiv për miratimin e projekteve PPP, duke vlerësuar kostot dhe rreziqet fiskale të tyre këshillon FMN-ja./Monitor