Bota

“Fortesa” e fundit në Luhansk, separatistët pro-rusë rrethojnë qytetin e Lysychansk

Separatistët e mbështetur nga Rusia thanë se kanë rrethuar plotësisht qytetin kyç të Lysychansk në Ukrainën lindore, sipas mediave shtetërore ruse.

Andrei Marotchko, një zëdhënës i forcave separatiste pro-ruse, i tha agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, Tass se sot, “milicia popullore e Luhanskut dhe forcat ruse pushtuan lartësitë e fundit strategjike, gjë që i lejon të konfirmojmë se Lysychansk është plotësisht i rrethuar”.

Lysychansk përfaqëson xhepin e fundit të rezistencës ukrainase ndaj forcave të Moskës në rajonin e Luhanskut dhe ka qenë nën bombardime të vazhdueshme artilerie ruse dhe sulme ajrore për javë të tëra.

“Shtëpitë private në fshatrat e sulmuara po digjen një nga një. Me një densitet kaq të lartë granatimesh, ne kemi vetëm kohë për të strehuar të lënduarit. Ne nuk kemi kohë për të eliminuar zjarret në shkallë të gjerë në Lysychansk”, shkroi në Telegra, Serhiy Haidai, guvernatori i rajonit të Luhansk.

Luhansk dhe Donjeck janë dy provincat që përbëjnë rajonin e Donbasit, ku Rusia ka përqendruar ofensivën e saj që nga tërheqja nga veriu i Ukrainës dhe kryeqyteti, Kiev, në pranverë.

Separatistët pro-rusë kanë mbajtur pjesë të të dyja provincave që nga viti 2014, dhe Moska njeh të gjithë Luhanskun dhe Donjeckun si republika sovrane.

Qeveria e Sirisë tha të mërkurën se do të njohë gjithashtu “pavarësinë dhe sovranitetin” e dy zonave dhe do të punojë për të vendosur marrëdhënie diplomatike me separatistët.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se tre raketa kundër anijes goditën një ndërtesë apartamentesh në qytetin e vogël të Serhivka.

“Theksoj: ky është një terror i qëllimshëm i drejtpërdrejtë rus dhe jo ndonjë gabim apo një sulm aksidental me raketa”, tha Zelensky.

Kremlini ka pohuar në mënyrë të përsëritur se ushtria ruse po synon vendet e magazinimit të karburantit dhe objektet ushtarake, jo zonat e banuara.

Autoritetet ukrainase e interpretuan sulmin me raketa si shpagim për tërheqjen e trupave ruse nga një ishull afër Detit të Zi me rëndësi simbolike dhe strategjike në luftën që filloi me pushtimin e Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.

Moska e portretizoi largimin e tyre nga ishulli i gjarpërinjve si një “gjest vullneti të mirë” për të ndihmuar në zhbllokimin e eksporteve të grurit.