Bota

Franca regjistroi 400 vdekje të lidhura me të nxehtin në muajin gusht!

Vera përfundoi dhe është koha e bilanceve për motin e nxehtë që përfshiu shumë vende të botës duke shkaktuar edhe viktima. Në Francë, Autoriteti i Shëndetit Publik i këtij vendi raporton se gjatë temperaturave tejet të larta të muajit që lamë pas, në këtë vend u regjistruan gati 400 humbje jete të lidhura pikërisht me pasojat e motit të nxehtë. Më të goditurit ishin të moshuarit. Në raportin e publikuar në Paris, thuhet:

Personat mbi moshën 75-vjeç janë më të prekurit.

Përgjatë valës së tretë të të nxehtit në Francë, në periudhën nga data 11 deri më 26 gusht, numri i vdekjeve u rrit me 5.4% më shumë në krahasim me të njëjtat javë të viteve të fundit.

Përgjatë kësaj periudhe, temperaturat në Francë janë rritur në 42 gradë celcius në disa rajone. Nëse njerëzit vdesin më shumë në javët me temperatura të larta, në krahasim me javët e njëjta të viteve të kaluara, rritja e shkallës së vdekshmërisë vlerësohet se është shkaktuar nga i nxehti.

Megjithatë, në raport vihet në dukje fakti se rezultatet janë paraprake. Ndonëse shumica e vdekjeve besohet se janë shkaktuar për shkak të problemeve të mëparshme me shëndetin, nxehtësia mund ta ketë përkeqësuar situatën.

Në raport theksohet edhe se përfundimet tregojnë se i nxehti përbën rrezik shëndetësor, madje edhe jashtë periudhave kur termometri shënon vlera rekord. Për këtë arsye duhet që të zbatohen masa parandaluese për zvogëlimin e ndikimit të të nxehtit në popullsi.

Prej fillimit të muajit korrik, bota është përballur me temperatura tejet të larta dhe zjarre të përshkruar si “apokaliptikë”.

Në disa studime nënvizohet se një mot i tillë do të ishte gati i pamundur pa ndryshimet klimatike të nxitura nga njeriu. Këto ndryshime po bëhen shkak edhe për katastrofa të tjera si përmbytjet në raste të stuhive. Rasti më i fundit shqetësues është Libia ku rreth 6 mijë vetë kanë humbur jetën, por 10 mijë rezultojnë të zhdukur.