Tech

‘Frenon’ eksportet e pajisjeve të çipave, Holanda shkakton zemërim tek pala kineze!

Qeveria holandeze prezantoi së fundmi kufizime të reja mbi eksportin e disa pajisjeve të gjysmëpërçuesve, duke nxitur një përpjekje të udhëhequr nga SHBA për të frenuar furnizimet me komponentë të teknologjisë së lartë në Kinë, por duke sjellë një përgjigje të zemëruar nga Pekini.

“E kemi ndërmarrë këtë hap në interesin e sigurisë sonë kombëtare”,-deklaroi ministrja holandeze e tregtisë, Liesje Schreinemacher, duke shtuar se këto pajisje mund të përdoren për aplikimin edhe në pajisjet ushtarake. Schreinemacher tha se një numër shumë i kufizuar kompanish dhe modelesh produktesh do të prekeshin dhe Kina nuk u emërua. Por ambasada kineze në Holandë e përshkroi masën si një shpërdorim të masave të kontrollit të eksportit që shkel rregullat e tregtisë.

ASML, një kompani holandeze, e cila është një furnizues kyç i pajisjeve të prodhimit të çipave kompjuterik, deklaroi se nuk pret që ligjet e reja të kenë ndikim material në biznesin e saj dhe gjithashtu shtoi se nuk do ta ndryshonte udhëzimin e saj financiar. Rregullat, të cilat do t’u kërkojnë kompanive që prodhojnë pajisje të avancuara të prodhimit të çipave të kërkojnë një licencë përpara se ta eksportojnë atë, pritet të hyjnë në fuqi më 1 shtator. Njoftimi është shoqëruar me një dokument teknik që specifikon se cilat pajisje do të kërkojnë licencë.