Sport

Frika nga COVID, tërhiqen 10 mijë vullnetarë të Lojërave Olimpike të Tokios!

Lojërat Olimpike të Tokios pritet të nisin muajin e ardhshëm, pavarësisht rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus në Japoni. Të shtyra nga viti i kaluar për shkak të pandemisë, pritet të fillojnë më 23 korrik për të zgjatur deri më 8 gusht. Mes shqetësimeve në rritje për mbajtjen e tyre në këtë kohë rreziku për t’u infektuar, 10 mijë nga 80 mijë vullnetarë që u ofruan të ndihmojnë janë tërhequr.

Por pavarësisht kësaj, organizatorët sigurojnë se nuk ka probleme. Kreu i Komitetit Organizator të Tokios për Olimpiadën, Toshiro Muto:

Sërish ka një numër të mjaftueshëm vullnetarësh që shprehen të gatshëm të ndihmojnë me Lojërat Olimpike Veriore nga 23 korriku më 8 gusht e ato Paralimpike nga 24 gushti më 5 shtator.

Katsunobu Kato, shef i kabinetit të kryeministrit Yoshihide Suga:

Pres që Komiteti Organizator të zbatojë masa të forta anti-COVID për vullnetarët, që të shmanget infektimi i tyre.

Një anketë e realizuar së fundmi nga e përditshmja “Asahi Shimbun” ka sugjeruar që më shumë se 80% e popullsisë dëshiron që këto Lojëra të anulohen apo të shtyhen.
Shumë qyteza që fillimisht janë caktuar për të pritur atletët po heqin dorë nga frika e shpërndarjes së virusit dhe rritjes së presionit në spitale.

Kryeqyteti Tokio e të tjera pjesë të Japonisë janë në gjendje të jashtëzakonshme emergjence për shkak se vendi po përballet me valën e katërt të koronavirusit.

Më pak se 3% e popullatës është vaksinuar plotësisht, një prej niveleve më të ulëta mes vendeve të industrializuara. Qytetarët japonezë mendojnë se Lojërat Olimpike po shërbejnë si shkak çorientimi duke mos u fokusuar te lufta anti-COVID në Japoni.

Nëse Lojërat nuk do të organizohen, gjendja financiare do të dëmtohej shumë, sikurse e ardhmja e Lojërave Olimpike. Nëse Tokio thyen kontratën dhe do t’i anulonte Lojërat, rreziqet dhe humbjet do të binin mbi palën japoneze.