Bota

Fund misionit, në Afganistan nuk mbetet asnjë ushtar amerikan, talebanët festojnë!

Pas rreth 20 viteve, Shtetet e Bashkuara i dhanë fund luftës anti-terror në Afganistan duke përmbyllur misionin amerikan që nisi më 7 tetor 2001 dhe u parapri nga sulmet terroriste të 11 shtatorit në Amerikë.

Pentagoni konfirmoi se avionët e fundit amerikanë u larguan nga aeroporti i Kabulit e për të festuar, talebanët që rikthehen në pushtet pas dy dekadave, qëlluan me armë zjarri në ajër, në zona të ndryshme të kryeqytetit afgan.

 

Nga mbrëmë në 21 e 29 minuta me orën tonë, kur u ngrit në fluturim C-17 e fundit, në Afganistan nuk ka mbetur më asnjë ushtar amerikan.

Me largimin e amerikanëve, talebanët shpallën pavarësinë e Afganistanit e festuan duke deklaruar se bënë historinë.

 

 

Një zëdhënës taleban tha se fitorja i përket të gjithëve e vuri në dukje se dëshirojnë marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara e të gjithë botën.

Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken shprehu dëshirën për të punuar me talebanët nëse do të respektojnë zotimet e bëra.

Tashmë nis një kapitull i ri sa i përket angazhimit tonë në Afganistan. Tërhoqëm përfaqësinë tonë diplomatike nga Kabuli dhe e zhvendosëm në Doha të Katarit. Ky përbën një hap të kujdesshëm. Amerika mbetet e angazhuar të ndihmojë çdo amerikan që dëshiron të largohet nga Afganistani.

Me rikthimin e talebanëve në pushtet u zhvillua një evakuim masiv 17 ditor. Ndërsa të gjithë ushtarakët janë larguar nga Afganistani, sa i përket civilëve, aty mbeten më pak se 250 amerikanë.

Gjenerali Kenneth McKenzie, kreu i komandës qendrore të Shteteve të Bashkuara:

Misioni mundësoi ekzekutimin e Osama Bin Ladenit e të shumë bashkëpunëtorëve të tij të al Qaeda-s.