Bota

Gazprom rikthen furnizimin me gaz për Italinë!

Gjiganti rus i energjisë, Gazprom bën të ditur se do të rikthejë eksportet e gazit përmes Austrisë, kryesisht në Itali. Kompania mori vendim të rikthejë furnizimet, pas pezullimit të tyre në fundjavë, kur përmendi disa sfida me rregullatorët. Gazprom njofton se me Italinë gjetën zgjidhje për shitjen e gazit, pas disa ndryshimeve në rregulloret e Austrisë. Të shtunën e kaluar, pra në datën 1 tetor, kompania e kontrolluar nga Kremlini, raportoi për pezullim të eksportit të gazit përmes Austrisë, me pretendimin se një operator i rrjetit nuk i dha konfirmim për transport Gazpromit.

Por, qeveria e Austrisë deklaroi se Gazpromi nuk i ka nënshkruar kontratat e nevojshme. Sasia e gazit rus që hyn në Itali tani përbën 10 për qind të importit total të vendit fqinj, në krahasim me 40 për qind që ishte vite më parë. Shifrat jepen për agjencinë e lajmeve Reuters nga një burim që ka dijeni për këtë situatë.

Sipas të njëjtit burim, Italia ka rritur sasinë e gazit që importon nga Algjeria dhe vendet nordike. Në mënyrë të konsiderueshme, Gazpromi ka zvogëluar sasinë e gazit që çon në vendet e Bashkimit Europian, duke përmendur nevojën e punimeve në gazsjellës. Këtë veprim, Perëndimi e konsideron si hakmarrje ndaj sanksioneve që i janë vënë Moskës për nisjen e luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Kremlinit, duke goditur me sanksione të ashpra, ekonominë e shtetit rus. Si pasojë e luftës kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së vendosi të zhvillojë një seancë të jashtëzakonshme nga 10 tetori. Kjo për të diskutuar aneksimin e katër rajoneve lindore të Ukrainës nga Rusia. Sipas diplomatëve, gjatë diskutimeve pritet edhe votimi për një rezolutë që dënon aktet e Moskës. Eshtë e paqartë nëse votimi do të bëhet apo jo të hënën, nisur nga numri i lartë i pjesëmarrësve që do të mbajnë fjalime.

Të premten, Rusia vuri veton ndaj një projekt-rezolute të ngjashme të Shqipërisë e Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me 15 anëtarë. Kina, India, Brazili e Gaboni abstenuan. Në mars, Asambleja hodhi poshtë pushtimin rus të Ukrainës me një shumicë rekord prej 141 votash. Po ashtu, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, 100 shtete anëtare miratuan një rezolutë që theksonte integritetin territorial të Ukrainës.