Aktualitet

Gjëja e gjykuar, interes publik/Ish-ministri i Drejtësisë, Manjani: Po shkelet Kushtetuta me Stela Gugallen!

Deklarimin e bërë nga avokati Klodian Skënderi se në lidhje me inceneratorët “Stela Gugallja është gjykuar njëherë nga Gjykata e Elbasanit e nuk mund që të gjykohet për të dytën herë”, reagon Ylli Manjani. Për ish-ministrin e Drejtësisë, “kjo është një ngjarje e rëndë për drejtësinë, kushtetutshmërinë dhe sigurinë ligjore në këtë vend”.

Në një postim, Ylli Manjani thekson se “në 2000 vitet e fundit ka qenë e ndaluar gjykimi për herë të dytë i të njëjtit person për të njëjtin fakt”:

I kam lexuar të dyja aktet dhe fatkeqësisht është e vërtetë. Të nisësh një çështje dhe më keq akoma të ngresh një akuzë zyrtare ndaj të njëjtit person me të njëjtat fakte, për të njëjtën ngjarje dhe mbi të njëjtat pretendime është e ndaluar. E ndalon Kushtetuta e Republikës; Konventa Europiane e të drejtave të Njeriut; legjislacioni penal në Shqipëri.  Në 2000 vitet e fundit ka qenë i ndaluar gjykimi për herë të dytë i të njëjtit person për të njëjtin fakt.

“Gjykimi për së dyti”, – thotë Ylli Manjani, “lejohet vetëm nëse ka një fakt të ri i cili çon në një akuzë të re ose në pafajësi”.

Ish-ministri Ylli Manjani paralajmëron për të treguar kujdes:

Po të gjykosh një gjë të gjykuar më parë nuk lejohet!  Po të lejohej kjo, bota do ishte bërë kuplara. Ndaj e konsideroj një ngjarje të rëndë akuzën e përsëritur, pasi është gjykuar më parë, ndaj Stela Gugalles. Deklarimet e avokatit të saj meritojnë vëmendje publike dhe jo injorim. SPAK po e bën standard këtë sjellje gjë për fat të keq. Ka edhe çështje të tjera aty që janë gjykuar më parë nga institucionet Kushtetuese në vend… Kujdes! Kjo sjellje përbën rrezikshmëri publike.

Referuar Stela Gugalles, më tej, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani nënvizon:

“E kuptoj”, dëshirën publike për të përçudnuar Stela Gugallen (pjesë e drejtësisë popullore kjo), por nesër do jesh ti Stela e radhës. Ndaj kujdes!