Bota

Gjermania do të dërgojë në Ukrainë sisteme të mbrojtjes ajrore

Gjermania tha se do të dërgojë në Ukrainë katër sistemet e para të mbrojtjes ajrore të llojit IRIS-T SLM. Këto sisteme do të arrijnë në Ukrainë “brenda ditësh”.

Ky njoftim i Berlinit erdhi në ditën kur Rusia sulmoi disa qytete ukrainase, duke vrarë civilë.

“Sulmet e reja me raketa në Kiev dhe në qytete të tjera të mëdha, e kanë bërë të qartë se sa e rëndësishme është që në Ukrainë të dërgohen shpejt sisteme të mbrojtjes ajrore”, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, përmes një deklarate më 10 tetor.

Ky njoftim erdhi disa orë pas sulmeve në Ukrainë.

“Sulmet me raketa dhe dronë rusë fillimisht terrorizojnë popullatën civile. Prandaj, ne po i mbështesim ata me armë kundërajrore”, shtoi ajo.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se sulmet janë në kundërpërgjigje të veprimeve të Kievit, që ai i cilësoi “terroriste”, përfshirë edhe sulmin gjatë fundjavës në urën kyçe që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar të Krimesë.

Policia kombëtare ukrainase tha se të paktën dhjetë persona janë vrarë dhe 60 janë plagosur nga sulmet ajrore.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.

Sulmet ruse në Ukrainë, reagon shefi i OKB: Civilët paguajnë çmimin më të lartë

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres është thellësisht i tronditur nga sulmet e sotme me raketa në shkallë të gjerë në Ukrainë, tha zëdhënësi i tij.

“Vala e sulmeve raportohet se rezultoi në dëme të përhapura në zonat civile dhe çoi në dhjetëra njerëz të vrarë dhe të plagosur dhe përbën një tjetër përshkallëzim të papranueshëm të luftës”, tha Stéphane Dujarric në një deklaratë.

“Si gjithmonë, civilët po paguajnë çmimin më të lartë”, shtoi ai.