Rajoni

Gjermania kundër çdo ndryshimi të kufijve në Ballkan!

Gjermania garanton mbështetje për Maqedonine e Veriut dhe Shqipërinë.

Kjo u tha në takimin e ministrave të jashtëm, Heiko Maas e Bujar Osmani në Berlin. Maas i cilësoi si “fake news” “non-paper” për Ballkanin. Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, tha se  nuk është për ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e anëtarësimit në BE. Maas i cilësoi si “fake news” “non-paper” për Ballkanin.

“Ky është një dokument non-paper, jo një dokument zyrtar. Ne nuk kemi nevojë të merremi më tej me të. Nuk ka pjesëmarrje të Gjermanisë, në ndonjë non-paper, nëse ka zëra për këtë, ato janë lajme të rreme. Për politikën e jashtme gjermane, baza e politikës sonë për Ballkanin Perëndimor ka qenë gjithmonë që ne të mos ndërhyjmë në kufij”, ka deklaruar Maas.

Shefi i diplomacisë gjermane tha se çdo ndryshim i kufijve, kudo, do të ketë një ndikim në të gjithë rajonin dhe do të ketë pasoja negative për të gjithë rajonin.

“Këtë në të kaluarën e kemi refuzuar, edhe tani e hedhim poshtë, edhe në të ardhmen do ta refuzojmë plotësisht”, ka deklaruar Maas.

Edhe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka hedhur poshtë idetë për ndarje, duke i vlerësuar të rrezikshme ndërsa ka theksuar se integrimi evropian i rajonit nuk ka alternativë.