Aktualitet

Gjobë e sekuestrim produktesh ushqimore të skaduara një supermarketi në Tiranë!

Tregtonte produkte ushqimore të skaduara, gjobitet supermarketi në Tiranë. Bëhet e ditur se të vënë në lëvizje nga qytetarët, inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, AKU shkuan për kontroll dhe konstatuan ushqime të pasigurta, përfshirë vezë, proshutë gjeli, gjalpë lope e djathë, me afate përdorimi që kishin kaluar. Subjekti u ndëshkua me gjobë 450 mijë lekë, si dhe iu bë sekuestrimi i mallrave të pasigurtë që do të asgjësohen, për të mos lejuar rihedhjen e mundshme në treg.

Në njoftimin zyrtar të AKU-së thuhet:

Trupa inspektuese e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, gjatë kontrollit të ushtruar në një supermarket me iniciale “E.M.” në Tiranë, referuar një indicieje nga qytetarët ka konstatuar tregtim të ushqimit të pasigurtë, si: vezë, proshutë gjeli, gjalpë lope dhe djathë me afate të kaluara përdorimi, në mungesë gjurmueshërie dhe etiketimi.

Për shkeljet e konstatuara trupa inspektuese e AKU-së vendosi masë administrative gjobë në vlerën 450’000 lekë, si dhe bllokoi sasitë e produkteve vezë, proshutë gjeli, gjalpë lope dhe djathë, deri në asgjësimin e tyre.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit fton konsumatorët që për çdo rast të evidentimit të abuzimit me produktet ushqimore të denoncojnë pranë numrit të gjelbër 0800 7575 ose [email protected] me qëllimin e përbashkët garantimin e sigurisë ushqimore në vend.