Aktualitet

Gjurmë ADN-je në gëzhojën e gjetur pranë makinës së autorëve, prova e vetme që mund të zbardhë sulmin terrorist ndaj Top Channel!

Deri tani, një gjurmë ADN-je në gëzhojën e gjetur pranë makinës që u përdor në sulmin terrorist ndaj Top Channel është prova e vetme, me të cilën Policia Shkencore synon të bjerë në gjurmët e autorëve. Sot përfunduan të gjitha akt ekspertizat e kryera në Policinë Shkencore. Top Channel mëson se ka përfunduar ekspertiza ndaj targave në automjetin e vjedhur Range Rover, të përdorur nga autorët.

Gazetarja Anila Hoxha mëson se nuk është gjetur asnjë gjurmë në targë, madje ka dyshime se provat në targat e djegura pjesërisht, mund të jenë dëmtuar nga zjarrfikësit, që shuan flakët në “Përroin e Agait”, aty ku u gjet makina.

Policia Shkencore këqyri kallashnikovët për të kuptuar nëse janë përdorur në krime të tjera dhe rezultoi se nuk janë përdorur. Për gëzhojën e gjetur në mjet do të thirren gjashtë ekspertët që ishin në vendngjarje, me dyshimin se mos njëri prej tyre ka prekur gëzhojën pa përdorur doreza. Pas kësaj do të krahasohet me të dhënat që ka Policia Shkencore e më tej do t’i dërgohet Europol-it me seli në Lion. Kjo metodë u përdor dhe në vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku.

Hetimi po kryhet për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese, në dëm të punonjësit të sigurisë së Top Channel, Pal Kola dhe duke rrezikuar jetën e shumë të tjerëve.

Por, policia duket se nuk është aq optimiste për kapjen e autorëve dhe shpreson që publiku mund të ndihmojë. Për këtë arsye ofron një shpërblim 100 mijë euro për këdo që ka informacion për autorët. Gjatë këtyre 24 orëve, disa persona kanë telefonuar në numrin e vënë në dispozion, ndërsa të dhënat po verifikohen nga grupet e punës.

Për këtë sulm terrorist, autorët kanë investuar mijëra euro, duke përdorur një mjet të vjedhur tre vite më parë e targa të vjedhura rreth tre muaj më parë.

Range Rover-i që i përkiste një pushuesi nga Kosova, është vjedhur në Tale të Lezhës më 10 korrik të vitit 2020. Pamjet e kamerave të sigurisë së parkingut të një hoteli kanë fiksuar momentin kur dy persona me kapuç vjedhin makinën pasi e hapin me pult. Pasi u përdor në sulmin terrorist ndaj Top Channel dhe u dogj nga autorët, tashmë automjeti është një provë materiale.

Në policitë e Tiranës, Kavajës, Vlorës, etj janë shoqëruar shumë persona që mund të kishin dijeni apo lidhje me sulmin, përfshirë ish-dhëndrin e viktimës, por të gjithë janë lënë të lirë, pasi nuk u gjetën prova për implikim./Top Channel