Rajoni

Gjyqi i ish-krerëve të UÇK-së, Prokuroria: Të akuzuarit shënjestruan tradhtarët dhe kolaboracionistët!

Në Hagë rinisi gjyqi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, pas ndërprerjes së seancës rreth mesdite. Kryehetuesi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Ward Ferdinandusse, tha se qëllimi kryesor i të akuzuarve për krime lufte e kundër njerëzimit ishte shënjestrimi i kundërshtarëve të UÇK-së, që quheshin “tradhtarë e kolaboracionistë”.

“Termat tradhtarë dhe kolaboracionistë keqpërdoreshin ose ngatërroheshin. Personat e etiketuar në këtë mënyrë ndaloheshin në mënyrë arbirtrare dhe në shumë raste keqtrajtoheshin në mënyrë të tmerrshme. Katër të akuzuarit shpërdoruan postin e Shtabit të Përgjithshëm”, – tha Ward Ferdinandusse. Sipas tij, përmes komunikatave, UÇK-ja tregonte për sulmet, si dhe paralajmëronte ata që i konsideronte “tradhtarë” e “kolaboracionistë” ndërsa bënte thirrje për “vdekje të tradhtarëve”.

Sot vëmendja është në Hagë aty ku po mbahet e para seancë e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Që në nisje të gjyqit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe kundër njerëzimit. Deklarata prezantuese e prokurorisë pritet të ketë në kohëzgjatje prej maksimumi pesë orësh. Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se ky rast nuk është “gjykim i UÇK-së”, por vetëm ndaj katër të pandehurve.

Sipas Prokurorisë së Specializuar, gjatë luftës Thaçi kishte drejtuar Drejtorinë Politike, Veseli atë të Zbulimit, Selimi ishte Inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së e Krasniqi, zëdhënës. Po sipas Prokurorisë, detyrat janë konfirmuar nga Selimi gjatë intervistës dhënë para prokurorëve të specializuar në Hagë e po ashtu nga një libër i Krasniqit, ku përmendej hierarkia e UÇK-së.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se nuk duhet harruar që në Gjykatën Speciale në Hagë po gjykohen individë e jo Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në një postim në Twitter, diplomati i Berlinit shkruan:

Drejtësia për viktimat është e rëndësishme, nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri për askënd. Gjykata Speciale e ka mbështetjen e plotë.