Aktualitet

Grabitet pika e këmbimit valutor në Tiranë, merren 40 mijë euro/Policia 5 mijë euro shpërblim për kapjen e tij!

Grabitet një pikë për transferta të parave e këmbimi valutor në Tiranë. Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:25 minuta, në zonën e Unazës së Re, në rrugën “Tom Plezha”. Jo zyrtarisht mësohet se u morën 40 mijë euro nga një person ende i paidentifikuar, për të cilin raportohet se u largua me biçikletë. Ai mbante një send të dyshuar armë zjarri, ndërsa nga grupi hetimor në vendngjarje po punohet për identifikimin, si dhe kapjen e autorit. Ky i fundit mbante kapele e një maskë në pjesën e fytyrës.

Njoftimi i policisë:

Më datë 24.06.2023, rreth orës 08:25, në rrugën “Tom Plezha” në Unazë të Re, një person ende i paidentifikuar, i cili mbante një send të dyshuar si armë zjarri, është futur në një pikë për transferta parash dhe këmbimi valutor, ka marrë një shumë parash dhe është larguar me një biçikletë.

Siç duket në video, grabitësi hyn brenda pikës së këmbimit valutor dhe kërcënon dy punonjëset e pasi merr paratë, largohet me shpejtësi.

Policia vendosi shpërblim prej 5 mijë eurosh, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694110415, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.

Në një tjetër zhvillim, blutë arrestuan dy shtetase të moshave 20 e 32-vjeçe me banim në Fushë-Krujë, të akuzuara për grabitjen e një dyqani në një qendër tregtare në zonën e Zogut të Zi në Tiranë.

Njoftimi i Policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetaset K. A., 20 vjeçe, dhe V. B. (A)., 32 vjeçe, të dyja banuese në Fushë-Krujë, pasi në një dyqan në një qendër tregtare te Zogu i Zi, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, dyshohet se kanë vjedhur disa produkte.