Bota

Greva, Lufthansa anulon mbi 50% të fluturimeve në Mynih!

Anulohet më shumë se gjysma e të gjitha fluturimeve në aeroportin e Mynihut në Gjermani, shkak një grevë e stafit tokësor të kompanisë ajrore Lufthansa. Kjo si pjesë e një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme lidhur me pagat. Aeroporti njofton:

Rreth 400 ngritje dhe ulje të 730 fluturimeve që operohen normalisht nga të gjitha linjat ajrore do të preken.

Sindikatat kishin një thirrje drejtuar edhe stafit tokësor në Frankfurt, Hamburg, Berlin e Dusseldorf që t’i bashkohen grevës dhe kauzës së tyre.

Lufthansa ka anuluar midis 80 dhe 90% të 1 mijë fluturimeve të saj, të planifikuara si masë paraprake. Më shumë se 100 mijë pasagjerë janë prekur.

Greva vjen pas negociatave të vazhdueshme për pagat e Grupit Lufthansa dhe bëhet fjalë për rreth 25 mijë punonjës të ekuipazhit tokësor në Deutsche Lufthansa, Lufthansa Technik e gjithashtu Lufthansa Cargo.

Oferta e punëdhënësve, në raundin e dytë të negociatave të 23 janarit u refuzua. Rritja e propozuar e pagave u konsiderua si shumë e ulët. Më 1 shkurt, Verdi i kërkoi stafit të sigurisë të hynte në grevë në disa aeroporte kryesore.

Greva e së enjtes së kaluar u thirr për të kërkuar rritje të pagave në shumën 2.80 euro në orë, për afro 25 mijë punonjës në firmat private të sigurisë së aviacionit. Kompanitë e refuzuan kërkesën duke e konsideruar si “shumë të shtrenjtë”. Sipas tyre, një rritje e tillë do të kushtonte 250 milion euro në vit. Bisedimet e marrëveshjeve kolektive ishin planifikuar të rifillonin më 6 shkurt, pra dje.

Të premten e javës së kaluar, më 2 shkurt, stafi i shërbimit tokësor të Verdit hyri në grevë në aeroportin e Hamburgut, po ashtu me kërkesën për rritjen e pagave. Kujtojmë se në shkurt të vitit të kaluar, një grevë 24-orëshe në shtatë aeroporte gjermane kishte ndikuar në fluturimet e gati 300 mijë pasagjerëve, pasi sindikatat e punëtorëve kërkonin paga më të larta. Në Gjermani, grevat e fluturimeve ajrore janë të përsëritura. Siç dihet, edhe kushtet atmosferike të rënduara nga reshjet e dendura të borës në periudhën e dimrit, bëhen shkak për pezullim të fluturimeve.