Bota

Grevat në aeroportet e Gjermanisë, mbi 300 mijë fluturime të anuluara!

Një grevë 24-orëshe në shtatë aeroporte gjermane ka ndikuar në fluturimet e gati 300 mijë pasagjerëve, pasi sindikatat e punëtorëve janë duke kërkuar paga më të mëdha. Një zëdhënës i aeroportit në Hamburg deklaroi:

Terminalet janë bosh këtë mëngjes.

Sipas Asociacionit të Aeroporteve të Gjermanisë, më shumë se 2 mijë e 300 fluturime janë anuluar në aeroportet e Bremenit, Dortmundit, Frankfurtit, Hamburgut, Hanoverit, Mynihut e Shtutgartit.

Drejtuesi i Asociacionit të aeroporteve të Gjermanisë, Ralph Beisel deklaroi:

Kur shikonim terminalet e aeroporteve këtë mëngjes, na janë kujtuar ditët më të rënda të pandemisë së koronavirusit.

Sindikata gjermane e punëtoreve Verdi ka paralajmëruar për protestë, pasi u shpreh se përpjekjet për të përmirësuar situatën për punëtorët e këtij sektori, rezultuan me pak përparim.

Nëse nuk bëhet asgjë sa i përket pagesës, situata do të jetë sërish kaotike në verën e ardhshme. Zëvendësshefja e sindikatës Verdi, Christine Behle:

Kjo ka të bëjë me dërgimin e një mesazhi të fuqishëm.

Greva është duke u mbajtur në ditën e hapjes së Konferencës së Sigurisë në Mynih. Ministrit rumun të Punëve të Jashtme, i cili kishte planifikuar të udhëtonte me një prej linjave që janë në grevë, tani do t’i duhet të shkojë në Austri dhe të bëjë një udhëtim mbi katër orë për të shkuar në Mynih. Kështu u shpreh një zyrtar i Ambasadës rumune në Gjermani.