Aktualitet Politikë

Grupi i PD-së do të çojë në Kushtetuese, VKM-në për katet pa leje!

Grupi parlamentar demokrat do të çojë në Gjykatën Kushtetuese VKM-në e Këshillit të Ministrave për konfiskimin e kateve dhe metrave shtesë pa leje. Kjo u bë e ditur sot nga deputeti Gazment Bardhi, në një dalje për mediat nga Kryesia e Kuvendit:

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur dje të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese këtë vendim, për shpalljen e tij antikushtetuese, për shkak se Vendimi i Qeverisë për të marrë në mbrojtje oligarkët e ndërtimit të Kullave pa leje në mes të Tiranës.

VKM është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse cënon barazinë e shtetasve përpara ligjit, cënon hierarkinë e akteve normative dhe nuk është autorizuar nga ligji.

VKM-ja është në kundërshtim me Kodin Penal, sepse i jep amnisti penale një kategorie personash, pa ligj të miratuar me 3/5 e votave në Kuvend. Eshtë në kundërshtim me ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.

PD do të informojë edhe trupin diplomatik të akredituar në Tiranë.

Grupi Parlamentar i PD-së do të informojë Trupin Diplomatik të akredituar në Tiranë për këtë praktikë të paligjshme të qeverisë, që nxit, favorizon dhe i hap rrugë ndërtimit të kullave në mes të Tiranës, duke favorizuar në këtë mënyrë një skemë të mundshme pastrimi të parave të pista, nisur nga fakti se siç ka pohuar vetë Prokurori i Përgjithshëm, ka dyshime të forta që një pjesë e parave që janë investuar në ndërtim në qytetin e Tiranës kanë si burim aktivitetet kriminale jashtë territorit të Shqipërisë.

Bardhi i bëri thirrje Prokurorisë të veprojë pa vonesa.

Grupi Parlamentar i PD-së kërkon nga Prokuroria që të veprojë pa vonesa, të zbatojë Kodin Penal, jo vetëm ndaj ndërtuesve të paligjshëm, por edhe ndaj Edi Ramës e çdo zyrtari tjetër që është përfshirë në praktikën e paligjshme për të legalizuar kullat e ndërtuara pa leje në mes të Tiranës, pa ligj dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Prokuroria duhet të hetojë e të vendosë para përgjegjësisë Edi Ramën dhe zyrtarët e tjerë shtetërore që me veprimet e mosveprimet e tyre kanë lejuar favorizimin e një grushti oligarkësh, për qëllime klienteliste e të dyshuara si korruptive.