Aktualitet

Hapet tuneli nr.5 te Shqiponja!

Në kantierin e punimeve te sheshi “Shqiponja” në kryeqytet ka përfunduar ndërtimi i të gjitha tuneleve e do të hapet për qarkullimin e automjeteve edhe galeria nr. 5. Autoriteti Rrugor informon se me hapjen e saj, nga nesër grafiku do të vijojë sipas lëvizjes përfundimtare të parashikuar në projekt.

Lëvizja e automjeteve nga autostrada Durrës-Tiranë në drejtim të rrugës “Dritan Hoxha” në kryeqytet e anasjelltas do të realizohet drejt në nivelin 0 të parashikuar në projekt.

Ndërkaq, për makinat që vijnë po nga Durrës-Tiranë, por në drejtim të Unazës së Madhe, lëvizja do të realizohet nëpërmjet galerisë nr. 5. Dalja nga Tirana për automjetet që vijnë nga Unaza e Madhe drejt autostradës pritet përmes galerisë nr.3.

Për daljen nga kryeqyteti, makinat që vijnë nga pjesa veriore, pra ish-Kombinati, rruga “Josif Pashko” mund të shfrytëzojnë galerinë nr. 4.