Aktualitet Politikë

Hetimi i 25 prillit, PD padi për bashkitë Tiranë e Vlorë!

Mblidhet Komisioni Hetimor për 25 prillin, por bashkitë Tiranë dhe Vlorë ende s’kanë kthyer përgjigje. Përmes një shkrese kërkohet informacion për punësimet elektorale e shpërblimet për tërmetin. Kryetari demokrat Komisionit, Enkelejd Alibeaj paralajmëroi kallëzim penal për dy bashkitë, me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Këtu ka diçka që nuk shkon. Tashmë, shkresat dhe kërkesat janë bërë prej më shumë se tre javësh, detyrimi për përgjigje është në bazë edhe të vendosjes së afatit në kërkesë.  Minimalisht kjo është indiferencë e neglizhencë. Eshtë detyrim ligjor për të gjithë anëtarët për të reaguar ligjërisht ndaj kësaj qasjeje.

Alibeaj bëri publike listën e dëshmitarëve që sipas tij duhen thirrur, duke filluar nga Kryeministri Rama.

Deputeti socialist, Toni Gogu, kërkoi që listës së dëshmitarëve t’i shtohen edhe demokratët Gazment Bardhi, Xhelal Mziu e Albana Voshi. Sipas tij, Mziu dhe Vokshi deklaruan se kanë dijeni për Strukturën e Mbrojtjes së Votës në PD.

Enkelejd Alibeaj: Miratimi i Planit të Hetimit, që është pika tjetër do të ishte i plotë kur ne të kishim të gjithë informacionin e plotë të kërkuar. Shkresat janë dërguar prej më shumë se tre jave. Detyrimi për përgjigje është sipas afateve që vendos komisioni. Ne duhet të reagojmë, pasi sa herë vërehet një indiferencë, në rastin më të mirë, nuk ka më justifikim ligjor. Eshtë detyrim ligjor që të reagojmë ligjërisht ndaj këtij qëndrimi. Në përfundim të mbledhjes do të depozitohet kallëzim penal “Për shpërdorim detyre”.

Toni Gogu: Në detyrat e komisionit, në Planin e Hetimit duhet të shtojmë edhe Strukturën e Mbrojtjes së Votës në PD. Të shtojmë në listën e dëshmitarëve Sekretarin e Përgjithshëm Gazment Bardhi, Xhelal Mziun e zonjën Albana Vokshi, të cilët kanë dijeni për Strukturën e Mbrojtjes së Votës.

Por, deputeti demokrat Ferdinand Xhaferri tha se kërkesa për të diskutuar Strukturën e Mbrojtjes së Votës në PD është jashtë objektit.

Objekti është hetimi për sjelljen e strukturave shtetërore dhe të pushtetit vendor në periudhën e zgjedhjeve.