Rajoni

“Historia jonë nuk mund të rishkruhet”, nis në Prishtinë “Marshi për Drejtësi” në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së

Në Prishtinë është organizuar “Marshi për Drejtësi”, në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), që janë në Hagë. Marshi, i organizuar nga platforma “Liria Ka Emër”, filloi në orën 14:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të sheshit “Skënderbeu”. Aty priten të marrin fjalën një numër i njerëzve nga organizatat dhe partitë që kanë shprehur përkrahje për këtë marsh.

“Historia jonë nuk mund të rishkruhet”, “Marshojmë për drejtësi” dhe “Drejtësi jopolitike”, janë disa nga pankartat që protestuesit po i mbajnë në duar.

Në mënyrë të organizuar, qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës kanë ardhur për të marshuar në kryeqytet.

Policia ka njoftuar se ka bërë përgatitjet e nevojshme operacionale policore me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike gjatë marshit.

Më herët, ideatorët e platformës “Liria ka emër, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë thënë se ish-krerët e UÇK-së nuk janë duke u përballur me procesin gjyqësor për shkak të emrave të tyre të përveçëm, por për shkak se me emrat e tyre lidhet epoka më e ndritur e historisë sonë të re.

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, mbi bazat se ky proces është i njëanshëm, pasi që në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

Përveç partive opozitare, edhe partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka mbështetur këtë iniciativë.

Më parë, organizatorët janë shprehur se “Marshi për drejtësi” është ideuar për ta ruajtur “të vërtetën për luftën e UÇK-së”.

Të hënën, më 3 prill do të nisë gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, dhe ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat thuhet se janë kryer kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999. Ata janë deklaruar të pafajshëm për këto akuza.

Aktualisht, në Gjykatën Speciale është duke vazhduar gjyqi edhe ndaj ish-pjesëtarit tjetër të UÇK-së, Pjetër Shala.

Ndërsa, në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Speciale e kishte shqiptuar dënimin e parë për krime lufte. Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.