Rajoni

Humbja e LDK-së, dorëhiqet Isa Mustafa

Humbja më e thellë historike e Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të një dite më parë i kushton postin kreut të saj. Isa Mustafa njoftoi dorëheqjen si kryetar i partisë që dje nuk siguroi më shumë se 13% të votave dhe u rendit e treta pas Lëvizjes Vetëvendosje e Partisë Demokratike të Kosovës.

Si LDK-ja ashtu dhe PDK-ja pranuan disfatat elektorale e bënë të ditur se do të qëndrojnë në Opozitë ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Ramush Haradinajt, njëherazi kandidat për president e ka lënë të hapur derën e bashkëpunimit me subjektin fitues duke shprehur gatishmërinë për të qenë pjesë e qeverisë Kurti.

AAK-ja mori 7.5% të votave e një bashkëpunim i tillë, vjen me kushtin që Haradinaj të zgjidhet në krye të shtetit, post për të cilin është pretendente Vjosa Osmani që garoi në një listë të përbashkët me Albin Kurtin në votimet e 14 shkurtit.