Bota

India kalon Kinën si vendi më i populluar në botë!

Deri në mesin e këtij viti, pritet që India të kalojë Kinën si vendi më i populluar në botë, me pothuajse tre milion banorë më shumë, sipas parashikimeve të bëra nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Popullsia e Indisë do të numërojë 1.4286 miliardë banorë në mesin e vitit 2023, krahasuar me atë të Kinës prej 1.4257 miliardë banorësh dhe kjo tregohet në një raport të Fondit të Kombeve të Bashkuara, OKB për Popullsinë, i publikuar ditën e sotme.

Numri i banorëve në Kinë është tkurrur për herë të parë që nga viti 1960, kur miliona njerëz vdiqën nga uria, për shkak të politikave katastrofike bujqësore të ish-udhëheqësit Mao Ce Dun.

Siç raporton agjencia e lajmeve, AFP, të shumtë janë ata që për ngadalësimin më të fundit bëjnë përgjegjës faktorë si rritja e kostos së jetesës, si dhe rritjen e numrit të grave të punësuara e me arsimim të lartë.

Në vitin 2016, Pekini zyrtar ndërpreu politikën e rreptë kineze të njohur si “Një fëmijë” dhe të vendosur në vitet ‘80-të nga frika e mbipopullimit dhe nga viti 2021 filloi t’u lejojë çifteve të kenë deri në tre fëmijë.

India nuk ka të dhëna të reja zyrtare se sa banorë numëron në territorin e vendit dhe kjo sepse nuk ka kryer regjistrim të popullsisë që nga viti 2011. Regjistrimi që India e bën një herë në dekadë ishte planifikuar të kryhej dy vjet më parë, por u shty për shkak të pasojave të pandemisë së koronavirusit.

Kritikët thonë se qeveria po e shtyn qëllimisht regjistrimin, për të fshehur të dhëna për çështje të nxehta, të tilla si papunësia, para zgjedhjeve kombëtare, në program për t’u mbajtur vitin e ardhshëm. Sipas qendrës së anketave, Pew, popullsia e Indisë është rritur me më shumë se një miliard banorë që nga viti 1950, kur OKB-ja filloi të mblidhte të dhëna për popullsinë.