Bota

Irani kërkon që Amerika të tregojë se dëshiron të kthehet në marrëveshjen bërthamore!

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi tha se shteti i tij, kurrë nuk do të heqë dorë nga e drejta “për të pasur energji paqësore bërthamore” dhe i bëri thirrje Uashingtonit “të tregojë se dëshiron të kthehet në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015”.

Gjatë fjalimit para një takimi vjetor të nivelit të lartë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Raisi theksoi se tërheqja amerikane nga marrëveshja shkeli zotimet e Shteteve të Bashkuara dhe ishte “një përgjigje e papërshtatshme” ndaj përmbushjes së zotimeve të Republikës Islamike.

Kur ishte president, Donald Trump e tërhoqi Amerikën nga marrëveshja e 2018-ës dhe rivendosi sanksionet e ashpra ndaj Republikës Islamike. Një vit më vonë, Irani filloi të shkelte akordin dhe nisën bisedimet në Vjenë për ringjalljen e tij. Por, bisedimet dështuan në gusht të vitit të kaluar.

Prej një kohe të gjatë, Irani mohon se synon të krijojë armë bërthamore dhe insiston se programi i tij ka qëllime krejtësisht paqësore. Këtë qëndrim, Raisi e përsëriti në OKB, duke thënë se “armët bërthamore nuk kanë vend në doktrinën mbrojtëse dhe atë ushtarake” të shtetit të tij.

Por, shefi i OKB-së për mbikëqyrjen bërthamore, Rafael Grossi, vuri në dukje se heqja e kamerave e të tjera sistemeve monitoruese elektronike nga Irani, ia bëjnë të pamundur Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore që të japë garanci për programin atomik të Teheranit. Më herët, Grossi paralajmëroi se Irani ka pasuruar mjaftueshëm uranium dhe mund të krijojë “disa” bomba bërthamore, nëse dëshiron.

Po ashtu, zyrtari kërkoi të takohej me Raisin për ta bindur që Teherani të heqë dorë nga ndalesat që ka vendosur për inspektorët e agjencisë. Raisi nuk përmendi inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, por Bashkimi Europian publikoi një deklaratë ku thuhej se kryediplomati Josep Borrell takoi ministrin e Jashtëm iranian dhe ngriti çështjet e marrëveshjes bërthamore, të inspektorëve e të arrestimit të shumë shtetasve të BE-së me shtetësi të dyfishtë.

Gjatë bisedimeve me Hossein Amirabdollahian, Borrelli i bëri thirrje Iranit të shqyrtojë ndalesën e vendosur ndaj inspektorëve bërthamorë dhe të përmirësojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore.

Borrell sërish i bëri thirrje qeverisë iraniane që të ndalë bashkëpunimin ushtarak me Rusinë.

Shtetet perëndimore thonë se Irani e furnizon Rusinë me dronë ushtarakë, të cilat Moska i përdor kundër Ukrainës. Por, të tilla pretendime janë hedhur poshtë nga Teherani.