Bota

Irani liron nga burgu reperin e njohur që mbështeti protestat antiqeveritare!

Një reper i njohur iranian u lirua me kusht nga burgu pasi kaloi më shumë se një vit në qeli për shkak të mbështetjes së protestave antiqeveritare që u nxitën nga vdekja e 22-vjeçares, Mahsa Amini. E reja vdiq në paraburgim shtatorin e vitit të kaluar, pasi u ndalua nga policia për shkeljen e rregullave të hixhabit apo shamisë së kokës.

Reperi Toomaj Salehi, 32 vjeç, postoi në X, në platformën që më parë njihej si Twitter, duke treguar se ishte liruar dje nga Gjykata e Lartë e Republikës Islamike. Ky institucion miratoi apelin e tij, pasi gjeti “të meta në dënimin fillestar” dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm. Po ashtu e ka kthyer rastin në një gjykatë të shkallës më të ulët.

Salehi ishte dënuar me gjashtë vjet e tre muaj burg në muajin korrik, nën akuzë për “Korrupsion prone”, që është një prej akuzave më të rënda në sistemin islamik të Iranit dhe personat që shpallen fajtor lidhur me të, mund të dënohen edhe me vdekje.

Ndërkaq, iu rrëzua akuza për “Ofendim të themeluesit të Revolucionit Islamik e udhëheqjes, si dhe komunikimit me qeveritë armike”. Pas një procesi me dyer të mbyllura, po ashtu, gjykata urdhëroi që Salehit t’i ndalohet të krijojë muzikë apo të performojë për dy vjet, pas lirimit të tij.

Ai u arrestua në tetor të vitit të kaluar kur bëri deklarata publike në mbështetje të protestave që kishin shpërthyer një muaj më herët. Protestat u nxitën nga vdekja në paraburgim e 22-vjeçares Amini. Salehi e kaloi shumicën e kohës në izolim gjatë paraburgimit.

Autoritetet iraniane kanë thënë se protestat janë nxitur nga qeveri të huaja. Qindra persona mbetën të vrarë dhe mijëra të tjerë u arrestuan gjatë shtypjes brutale të protestave nga autoritetet iraniane. Salehi u akuzua për “Shpërndarje të gënjeshtrave” në internet dhe për publikim “Të propagandës kundër shtetit”.

Salehi u bë i njohur për tekstet e këngëve të tij kundër korrupsionit, për varfërinë, dënimet me vdekje që aplikohen në Iran dhe për vrasjen e protestuesve atje. Në tekste ka akuzuar autoritetet se po shtypin popullin dhe se po shpërfillin mirëqenien e qytetarëve në Republikën Islamike.