Bota

Irani shpall gjykime publike për rreth 1 mijë persona!

Në Iran do të mbahen gjykime publike për rreth 1 mijë persona të akuzuar për trazirat në Teheran, njoftoi sot kryegjykatësi i Iranit, Golam-Hossein Mohseni Ejei.

Agjencia Tasnim tha në një raport se gjyqet e rreth 1 mijë njerëzve “të cilët kryen akte sabotimi në ngjarjet e fundit, duke përfshirë sulmet ndaj rojeve të sigurisë dhe djegien e pronës publike” do të mbahen në Gjykatën Revolucionare, raportoi Reuters.

Në protestat në mbarë Iranin, të cilat filluan për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini më 16 shtator, u vranë 283 protestues, qindra u arrestuan dhe 34 anëtarë të forcave të sigurisë u vranë.

Komandanti i Gardës Revolucionare të Iranit, Hossein Salami, kishte paralajmëruar më herët protestuesit se e shtuna ishte dita e fundit që ata të dilnin në rrugë.

Mahsa Amini vdiq në burg pasi u rrah nga policia meqë nuk kishte veshur si duhet hixhabin.