Celebrities Live From Tirana Music

Irini Qirjako: “Të bësh një dasmë nga fillimi deri në fund me muzikë tallava, e papranueshme”!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Irini Qirjako. Sipas Qirjakos çfarë po e “vret” sot traditën tonë muzikore?

Ne si Shqipëri kemi një larmi të jashtëzakonshme të artit, të këngës, të valles, të dasmave, të gëzimeve, hidhërimeve por shumë gjëra sot po eliminohen. Unë kam bërë shumë dasma, koncertet e mia janë me qindra, nuk numërohen, por kam qenë në një dasmë kohët e fundit dhe jam tmerruar. Isha e ftuar speciale dhe ajo dasmë filloi dhe mbaroi me DJ, me muzikë rrok dhe pop. Këtu nuk ka tradita, si hyn nusja, si digjet shamia e beqarit, si del nusja apo halla e tezja në valle. Jam skandalizuar me atë lloj dasmë.

Çfarë tradite specifike ka dasma në zonën e Irinit?

Dasmat tona janë si në gjithë Shqipërinë. Tradita është që vjen nusja, i hedhin oriz, i bëjnë gishtat me mjalt dhe tani po humbasin fare. Një pjesë e mirë i bëjnë, janë fanatik. Më ka ndodhur që në një dasmë në Maqedoni, dasmorët vinin nga jashtë, nuk jetonin aty dhe ishin veç burrat veç gratë. Kur burrat ishin veç dhe unë nisa të këndojë, burrat u ngritën, gjuajtën me pistoletë, erdhën dhe u futën në valle.(qesh). Koha evoluon por të bësh një dasmë nga fillimi e deri në fund me muzikë moderne dhe tallava kjo është e papranueshme. Të shihje moshat e mëdha kur dilja unë hidhnin valle, kur dilnin këto këngët e tjera moderne trishtoheshin. 

Sa i përket muzikës folklorike, si e shikon Irini interpretimin tradicional të kësaj muzike?

Lë shumë për të dëshiruar sepse nëse çdo fshat kishte karakteristikën e vet të të kënduarit e të valles, tani janë ngatërruar, janë përzier gjërat dhe i kanë bërë çorb. Kjo nuk është e hijshme dhe e bukur sepse çdo krahinë ka ato të vetat ku dallojnë nga njëra-tjetra. Është e dhimbshme si është bërë tani.