Bota

Ish-zv.presidenti amerikan, Mike Pence: Me ndërgjegje të pastër nuk mund të mbështes Trump-in!

Ish-zv.presidenti amerikan, Mike Pence tha se “me ndërgjegje të pastër” ai nuk mund t’i ofrojë mbështetje kandidatit të propozuar të GOP, Partisë Republikane,  Donald Trump. Në një analizë, rrjeti televiziv CNN thotë se ky është një “mohim mahnitës” ndaj presidentit me të cilin shërbeu në Shtëpinë e Bardhë në vitet 2017-2020. Ish-numri dy i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i bëri komentet në një intervistë për Fox News. Pence u shpreh:

Donald Trump po ndjek dhe artikulon një axhendë që është në kundërshtim me axhendën konservatore me të cilën ne kemi qeverisur gjatë katër viteve tona. Kjo është edhe arsyeja se përse unë nuk mund të mbështes Donald Trump-in në këtë fushatë.

Trump nuk është kursyer për personin që pati në krah dhe me të cilin drejtoi vendin më të fuqishëm të botës.

Unë e zgjodha atë, unë e bëra zv.president. Por… njerëzit në politikë mund të jenë shumë të pabesë.

Pence, nuk i ka fshehur rezervat për çështjet që kanë çuar në ndasi, mes tyre aborti, borxhi kombëtar amerikan apo ndalimi ose jo i TikTok-ut.

Unë jam jashtëzakonisht krenar për të dhënat e administratës Trump-Pence, por ish-presidenti Donald Trump është larguar nga çështjet konservatore.

Mike Pence nuk e zbuloi se për kë do të votojë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit të këtij viti, duke thënë se ai do ta mbajë votën e fshehtë, kjo është zgjedhja e tij. Por, Pence e ka bërë të qartë se nuk e ka për zemër presidentin aktual, demokratin Joe Biden.

Tashmë, përsëritja e përballjes Biden-Trump duket e pashmangshme. Në Shtetet e Bashkuara, Joe Biden dhe Donald Trump u zgjodhën si kandidatë për president nga partitë përkatëse, pasi shënuan fitore vendimtare në zgjedhjet paraprake duke i hapur rrugë përsëritjes së përballjes mes tyre në presidencialet e nëntorit. Rezultati i garave paraprake në Xhorxhia, Misisipi e Uashington, asnjëherë nuk vihej në dyshim.

Tani nuk ka më dyshime se në zgjedhjet e nëntorit, Biden dhe Trump do të përballen përsëri, si më 2020-ën. Por, rruga e tyre përpara nuk do të jetë e lehtë. Sipas ekspertëve, përsëritja e përballjes, e para mes dy presidentëve amerikanë prej vitit 1912 mund t’i thellojë ndarjet politike dhe kulturore gjatë tetë muajve të ardhshëm.