Aktualitet

Ish-zyrtari i FBI-së, McGonigal pranon të gjitha akuzat e lidhura me Shqipërinë!

Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal pranoi fajësinë lidhur me marrjen e 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani, Agron Nezaj, i cili sipas dokumentave në gjykatë, u bë informatori për hetimin e FBI-së lidhur me kontaktet dhe takimet e tij në Shqipëri.

Pranimi i fajësisë u bë në gjykatën federale në Uashington, në bazë të një marrëveshjeje mes prokurorëve e avokatëve të McGonigal. Gjithashtu pranoi  fshehjen e provave materiale dhe prokurorët hoqën dorë nga tetë pikat e tjera.

Çdo pikë e aktpadisë përmban disa akuza. Arritja e marrëveshjes do të thotë që çështja nuk shkon në gjyq e nënkupton se nuk do të bëhen publike të tjera të dhëna për këtë çështje.

McGonigal pranoi të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kryeministrit, Dorian Duçka.

I pyetur nga gjykatësja Colleen Kollar-Kotelly, nëse më 25 nëntor ka “informuar Prokurorin e Departamentit të Drejtësisë … për një hetim të mundshëm kriminal për një shtetas amerikan, që ishte regjistruar për të lobuar “për një parti që nuk ishte e kryeministrit Rama”, McGonigal u përgjigj “Po”.

Për këtë lobues, McGonigal mori informacion nga Duçka. Në akt-padi nuk identifikohet lobuesi amerikan dhe as partia shqiptare. Por, ndonëse me vonesë, më 14 nëntor 2017, Nick Muzin depozitoi në Departamentin e Drejtësisë dokumentet mbi aktivitetin lobues të disa muajve më parë për llogari të PD-së dhe që më pas u bë subjekt hetimi në Shqipëri për origjinën e parave.

Me kërkesën dhe udhëzimin e McGonigal, më 26 shkurt 2018, zyra e FBI-së në Nju Jork zyrtarisht hap hetime të përqendruara tek lobuesi amerikan. Gjatë seancës McGonigal pranoi se lidhjet dhe kontaktet në Shqipëri i krijoi përmes një mikut të tij, referuar Nezës. Kjo me synimin për të përgatitur terrenin që pasi të largohej nga FBI-ja, të ndiqte mundësi biznesi e përfitimesh në Shqipëri.

Referuar kontakteve me qeverinë shqiptare, në gjykatë deklaroi:

Përpara se të largohesha nga FBI-ja në shtator 2018, po planifikoja të hapja një biznes konsulence për çështje sigurie me një mik. E dija se kontaktet e mia me qeverinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare mund të ishin të dobishme për mua kur më vonë të nisja biznesin.

Siç thuhej në aktpadi, edhe në deklaratën e fajësisë pranoi se nuk i kishte deklaruar 220 mijë dollarët që tha se i mori hua nga miku i tij e partneri i mundshëm i biznesit, referuar Nezës, si dhe nuk kishte deklaruar kontaktet me qytetarë të huaj.

Në seancë, pranoi faktin që disa herë takoi kryeministrin Edi Rama duke filluar nga shtatori 2017, duke filluar nga takimi i parë më 9 shtator në prani të Duçkës, i cili vazhdon të figurojë si personi B edhe në dokumentin ku ofrohet një akuzë e reduktuar.

I pyetur nga gjykatësja nëse pas udhëtimit në shtator 2017, mbajti “një marrëdhënie të vazhdueshme me kryeministrin e Shqipërisë dhe personin B”, McGonigal u përgjigj “Po”.

Në të njëjtën mënyrë u përgjigj kur u pyet nëse me kërkesë të Personit A, ai i bëri thirrje kryeminisrit të kishte kujdes e të mos i jepte liçenca për kërkime nafte në Shqipëri një kompanie ruse guackë, ndërsa personat A dhe B kishin interesa financiarë nga vendimi i qeverisë shqiptare.

Po ashtu, pohoi që gjatë vizitës së shtatorit 2017, McGonigal “u prezantua nga personi A me një biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i kërkoi ndihmë, që dikush të hetonte për një komplot të dyshuar për të vrarë biznesmenin dhe politikanin”.

Pas seancës, avokati i tij, Seth Ducharme foli për gazetarët:

Megjithëse ai mund të ketë pasur ose ka pasur mendoj unë disa interesa mjaft legjitime që përputheshin me Shtetet e Bashkuara për të mbajtur ato marrëdhënie, ai gjithashtu kishte qartazi interesa personale që të përgatiste terrenin pasi të largohej nga detyra t’i vazhdonte ato marrëdhënie. Pra, sigurisht që ishte diçka e papjekur.

Kur mendon të hapësh një firmë private konsulence, kur largohesh nga qeveria, sa më shumë kontakte të kesh në të gjithë botën, aq më të shumta mundësitë për biznes.

Kështu, për disa prej njerëzve me të cilët ai (McGonigal), konsideroi zhvillimin e mundshëm të biznesit dhe burime për marrëdhënie të mëtejshme, ai aludoi në pranimin e fajësisë dhe ata hyjnë në këtë kategori./Zëri i Amerikës