Bota

Izraeli përgatitet për operacione ushtarake në Rafah!

Besohet se sot liderët izraelitë po bëjnë përgatitje për operacionet ushtarake në Rafah, qytetin jugor të Rripit të Gazës. Aktualisht, aty strehohet pjesa më e madhe e popullsisë së Gazës, e zhvendosur si pasojë e luftës Izrael-Hamas që vijon prej gjashtë muajsh. Njëherazi, vazhdon të rritet presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit për t’i dhënë fund të luftës.

Ndërkaq, në bisedimet në Kajro, me qëllim arritjen e një armëpushimi Izrael-Hamas u shënua “përparim i rëndësishëm”. Më shumë negociata pritet të zhvillohen ditët në vijim, siç raporton media shtetërore egjiptiane, Al-Qahera.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatet më të forta të Izraelit, kërkuan një armëpushim e marrëveshje për pengjet, si dhe rritje të ndihmave që duhet të hyjnë në Gazë.  Dje, Izraeli tërhoqi një pjesë të madhe të forcave nga jugu i Rripit të Gazës.

Por, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant u shpreh se trupat e mbetura në qytetin Khan Junis “do të përgatiten për misionet në të ardhmen, përfshirë atë në Rafah”. Nga ana tjetër, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu vuri në dukje se Izraeli është “një hap larg fitores”.

Pak pasi trupat izraelite janë larguar prej një pjese të shkatërruar të Khan Junisit, një valë palestinezësh të zhvendosur janë nisur në atë drejtim, me shpresën që do të kthehen në shtëpitë e tyre pas disa muajsh jetesë nëpër kampe në Rafah.

Muhammad Yunis, 51-vjeçar, banor palestinez i veriut të Gazës, tha se nuk ka parë asgjë përveç humbjes.

A nuk kemi parë mjaftueshëm bombardime, vdekje dhe shkatërrim? Ka trupa nën rrënoja. Mund të ndjejmë erën.

Lufta u nxit më 7 tetor të vitit të kaluar, si pasojë e sulmeve të Hamasit kundër Izraelit, duke lënë të vrarë rreth 1 mijë e 200 njerëz dhe u morën peng 240 të tjerë. Siç dihet, Hamasi është grup palestinez radikal që udhëheq Gazën, i shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës e nga Bashkimi Europian.

Pas sulmeve të Hamasit, Izraeli ka nisur ofensivë në Gazë me synim shkatërrimin e grupit. Si pasojë e ofensivës tokësore e ajrore izraelite janë vrarë të paktën 33 mijë e 175 palestinezë në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.