Aktualitet

Jemi në mes të prillit, por dimri “kapriçoz” refuzon të ikë/Dëbora zbardh zonat malore!

Zyrtarisht ne jemi në stinën e pranverës, por kjo nuk kuptohet pasi dimri “kapriçoz” nuk jep shenja tërheqjeje edhe pse jemi në mesin e muajit prill. Në zonat malore rinisën me intensitet reshjet e dëborës e nuk munguan problemet në rrugë.

Në zonat malore të qarkut Dibër reshjet intensive shkaktuan dhe bllokimin e përkohshëm të Rrugës së Arbrit, në pjesën Bypass-Qafë Murrizë. Mes zonave ku bora bie prej orëve të para të mëngjesit është edhe Stebleva e Librazhdit.

Në lartësinë 500 metra mbi nivelin e detit, në zonën e Bulqizës po ashtu bie dëborë, madje edhe në qytet. Për shkak të borës, në zonat e minierave të Martaneshit kërkohet përdorimi i zinxhirëve për automjetet që trasportojnë minatorët.

Në zonat malore të Shkodrës, si në Theth, Lepushë e Kelmend, trashësia e dëborës ka shkuar në disa centimetra, ndërsa borëpastrueset punojnë për zhbllokimin e rrugëve.

Përkeqësimi i kushteve atmosferike natën e kaluar solli probleme dhe në lëvizjen e trageteve nga Durrësi drejt portit italian të Barit. Për shkak të detit të trazuar dhe erës së fortë, dy tragetet e linjës Durrës-Bari nuk u nisën në orar nga porti detar më i madh i vendit.

Njëri prej tyre e filloi lundrimin pas orës 02:00 të mëngjesit, ndërsa trageti tjetër rreth orës 06:40 minuta. Ndërkohë nuk ka pasur probleme në mbërritjen e dy trageteve nga Bari në Durrës këtë mëngjes. Situata detare dikton dhe pezullimin e përkohshëm të daljes në det të anijeve të peshkimit.

Sa i përket parashikimit të motit, sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak në këtë pjesë të dytë të ditës mbetemi nën ndikimin e alternimeve të vranësirave e kthjellimeve në vend. Por, në veriperëndim shirat rikthehen në formën e shtrëngatave afatshkurtra. Në relievet malore në lartësitë mbi 800 metër në verilindje dhe 1 mijë metër në juglindje gjithashtu bie dëborë. Sa i përket temperaturave, për ditën e sotme ato luhaten në vlerat nga 4 në 20 gradë celcius.