Aktualitet Politikë

Jo vetëm Bashën, Berisha “kërcënon” edhe Ramën, i bën thirrje demokratëve për protesta madhështore.

Ish-kryeministri dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë takimit të tij me mbështetësit demokratë të qytetit të Beratit, tha se qëllimi i tij përmes “foltoreve” është të rikthejë Partinë Demokratike aty ku e ka vendin.

Ai paralajmëroi protesta masive, me qëllim largimin e kryeministrit Rama dhe rikthimin e PD në të gjitha parimet e saj demokratike.

Kreu i opozitës, në vend që të dilte në shesh në mbrojtje të votës tuaj, në vend që të mbusht sheshet, u kthye dhe po merret me karrigen dhe zgjedhjet e tij. Na bëri një dëm të jashtëzakonshëm, sepse duhet ta penalizonim Edi Ramën për atë që ndodhi. Kjo përbën tradhti të vërtetë ndaj votës tuaj. Ku qëndron Sali Berisha në këtë çështje? Padiskutim që unë kam përgjegjësi përpara jush ndaj kërkoj ndjesë. Në vitin 2017 kur i thash të jepte dorëheqjen dhe ai refuzoi, unë duhet të rikthehesha për të vijuar betejën. Një fjalë thotë më mirë vonë se kurrë. Nuk është vonë të mbrosh për atë që beson. Jam midis jush, me qëllimin kryesor që të ringrejmë së bashku PD, në idealet dhe fuqinë e saj. Ti rikthejmë asaj votën, besimin te vetja. Ta përgatisim atë në një betejë dhëmbë për dhëmbë me Edi Ramën. Atyre që i dhunohet vota, ata kanë protestën dhe vetëm protestën, ndaj jam dhe këtu te ju me besim të plotë, te çdo demokrat, që të përgatiten për protesta që Shqipëria kurrë nuk i ka parë. Nuk meritojmë ne të jemi votëshkelur, vullnet vjedhur, ne do të bëhemi qytetar të lirë. Tani për tani, Edi Rama ka marrë peng Bashën, i cili pasi u zgjodh, harroi çdo interes tuajin, e ka kap një frikë dhe tmerr nga ju, nuk takon asnjeri prej jush.

E përkundrazi, paraqet takimet dhe mbledhjet tona si anti-amerikane, ndërkohë këto janë pro-amerikane e të tilla do të mbetet. Këto foltore, kanë si qëllim të mbrojnë sovranitetin e forcës sonë politike. Një forcë politike po nuk qe sovrane, nuk vjen kurrë në pushtet, s’ka dinjitet. Ne jemi patriotë dhe kemi interes të parë atë kombëtar. Ndaj dhe ne qëndrojmë plotësisht në këto parime. Foltorja jonë është për bashkimin e demokratëve. Të atyre që gjatë qeverisjes i dhanë Shqipërisë ndryshimin. Të atyre që në këto vite derdhën djersë. Ata që nuk janë sot në këtë sallë dhe e konsiderojnë veten mbështetës së Bashës, që të gjithë janë mbështetës të PD, por një njeri që çon nga humbja në humbje, që regjistron 4 humbje me radhë, ka dorëzuar 4 beteja të pabëra, duhet të hapë rrugën, tha Berisha.