Bota

Jordania hedh nga ajri ndihma mjekësore dhe ushqim në një spital fushor në Gaza!

Një avion jordanez hodhi nga ajri pajisje mjekësore jetike, si dhe ushqime në një spital fushor në Rripin e Gazës, të rrethuar nga dje në mbrëmje, rreth një muaj nga nisja e luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Lajmi u konfirmua nga vetë Izraeli, si dhe Jordania.

Ushtria e Izraelit konfirmon se u “koordinua” me Jordaninë që të furnizojë nga ajri një spital fushor në Rripin e Gazës.

Gjatë natës, në koordinim me IDF-në [Forcat Mbrojtëse të Izraelit), një avion jordanez hodhi nga ajri pajisje mjekësore dhe ushqim në Spitalin Jordanez në Rripin e Gazës.  Pajisjet mjekësore do të përdoren nga personeli shëndetësor për pacientët e shtruar që marrin mjekim.

Edhe mbreti i Jordanisë, Abudallah II, tha sot në mëngjes se gjatë natës, vendi i tij dërgoi “ndihma urgjente mjekësore” në spitalin fushor.

Eshtë detyra jonë që të ndihmojmë vëllezërit dhe motrat tona të lënduar në luftën e Gazës. Ne do të jemi gjithmonë pranë vëllezërve tanë palestinezë.

Izraeli e ka rrethuar Rripin e Gazës dhe aty kontrollon me detaje se çfarë futet në atë enklavë bregdetare dhe se çfarë del prej territorit të mbipopulluar. Javë më parë u arrit një marrëveshje për lejimin e futjes së ndihmave humanitare përmes pikëkalimit të Gazës me Egjipin, Rafahun, por në sasi të kufizuar. Rafah u hap edhe për të lejuar daljen e të huajve nga Gaza e të palestinezëve të plagosur.

Lufta mes Izraelit dhe grupit militant palestinez, Hamas, nisi më 7 tetor, pasi Hamasi kreu sulme në qytete të Izraelit jugor, duke vrarë 1 mijë e 400 njerëz, kryesisht civilë, si dhe rrëmbeu më shumë se 240 persona të tjerë.

Prej datës 7 tetor, Izraeli është duke e sulmuar Rripin e Gazës nga ajri, nga deti, si dhe toka, në përpjekje për ta eliminuar Hamasin. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, dikaster që udhëhiqet nga grupi militant palestinez, më shumë se 10 mijë palestinezë janë vrarë nga bombardimet e pareshtura izraelite.