Health & Beauty

Ju zbulojmë ‘sekretin’ se si të llogarisni moshën e organizmit tuaj!

Dita e lindjes konsiderohet si një tregues i saktë i moshës së njeriut. Ndonjëherë, në varësi të gjendjes fizike dhe stilit të jetës ndodh që trupi të ketë një paraqitje dhe funksionalitet krejt të ndryshëm. Mosha kronologjike mund të jetë krejt e ndryshme nga ajo biologjike. Mënyrat për përllogaritjen e moshës biologjike janë sipërfaqësore, megjithatë treguesit duhen marrë në konsideratë.

Zemra është një prej organeve më të rëndësishme të trupit. Një zemër e shëndetshme është kryesore për mirëqenien. Rrahjet e zemrës janë zakonisht 60 deri në 100 në minutë. Kur trupi është duke u qetësuar, rrahjet nuk duhet të jenë më të shpejta apo më të ngadalëta se shifrat e lartpërmendura. Vendosni dy gishta në pjesën e brendshme të kyçit të majtë duke prekur njërën prej dy arterieve kryesore në këtë zonë. Zakonisht nëse rrahjet e zemrës kur trupi pushon janë të ulëta, zemra është e fortë.

Rrahjet e larta tregojnë se zemrës i duhet të punojë fort, se ajo është e dobët dhe më pak efikase. Me kalimin e moshës, njerëzit janë më pak fleksibël. Kjo ndodh si pasojë e humbjes së fibrës së muskujve, strukturës kimike të indeve dhe rritjes së depozitave të kalçiumit. Uluni në dysheme dhe mbani shpinën drejt dhe këmbët drejt bashkuar. Mundohuni të prekni me duar gishtat e këmbëve pa i përthyer ato.

Sa më fleksibël të jeni aq më në gjendje të mirë fizike është trupi. Pas të tridhjetave, njerëzit që nuk kryejnë aktivitet fizik humbasin nga 3 deri në 5% të masës muskulare për çdo dhjetë vjet. Forca mund të matet duke kryer disa ushtrime fizike siç janë ushtrimet që njihen si pompat. Nëse arrini të mbani trupin drejt dhe të ulni kraharorin sa më pranë dyshemesë për mbi 10 herë, atëherë me siguri masa juaj muskulare dhe forca fizike janë të mira.

Me kalimin e moshës, njerëzit kanë tendencën të shtojnë në peshë. Forma trupore dhe përmasat e belit apo të legenit janë një mënyrë e mirë për të pasur një ide për shpërndarjen e dhjamit në trup. Një gjë e tillë tregon rreziqet që i kanosen organizmit siç janë tensioni i lartë i gjakut, diabeti apo ishemia. Pjestoni perimetrin e belit me atë të legenit. Treguesi i duhur për meshkujt duhet të jetë 1.0 dhe për femrat 0.85. Nëse rezultati është një shifër më e lartë se kaq, atëherë trupi ka më shumë dhjamë seç duhet.

Një i rritur ka nevojë për 7 deri në 8 orë gjumë çdo natë. Nëse flini më pak, do të jeni mendërisht të lodhur dhe fizikisht më të plakur. Mungesa e gjumit rrit rrezikun e tensionit të gjakut, sëmundjeve të veshkave, ishemisë dhe mbiepeshës. Alkoli dhe duhanpirja janë dy vese që rrisin rrezikun e plakjes së trupit dhe shfaqjes së kancerit, ishemisë, sëmundjeve të mëlçisë, pankreasit apo tensionit të lartë të gjakut. Sa i përket alkolit, gratë duhet të pijnë vetëm një pije alkolike në ditë, ndërsa meshkujt mund të mjaftohen me dy.