Aktualitet Travel

Kalaja e Beratit vizitë falas, hiqet bileta për turistët!

Turistët shqiptarë e të huaj, tashmë nuk kanë nevojë për biletë që të shijojnë vizitat e tyre në kalanë e Beratit. Këtë e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Vendimi për heqjen e biletës erdhi pas shqetësimit të ngritur nga banorët e qytetit.

Duke iu përgjigjur shqetësimit të banorëve të Beratit, vendosëm të heqim biletën hyrëse në Kala. Tanimë turistë shqiptarë e të huaj mund të shijojnë vizitat e tyre në një nga zonat më të bukura jo vetëm të qytetit, por gjithë Shqipërisë.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi e po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.

Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të famshme atë.