Bota

“Kam turp nga vendi im”, dorëhiqet këshilltari rus në OKB

Këshilltari i Rusisë në Kombet e Bashkuara në Gjenevë ka dhënë dorëheqjen. Boris Bondarev e përshkroi si të turpshëm agresionin rus në Ukrainë.

“Kurrë nuk kam pasur kaq turp për vendin tim që nga 24 shkurti tha ai. Ndërkaq shtoi se pushtimi i Ukrainës është edhe krim kundër popullit rus. Në letrën e tij të dorëheqjes, ai e quajti ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov si një “ilustrim të mirë të degradimit të këtij sistemi”.

Letra u shpërnda në rrjetet sociale nga avokati ndërkombëtar Hillel Neuer.

Aktualisht, Rusia ka intensifikuar sulmet në rajonin lindor Luhansk, ka thënë ushtria ukrainase më 23 maj, pasi forcat ruse tentojnë të rrethojnë qytetin Severodonjeck në këtë rajon.

Luftimet e ashpra në lindje të Ukrainës kanë rezultuar me vdekje të shumta të ushtarëve rusë, ka thënë inteligjenca britanike, duke vlerësuar se në tre muajt e parë të luftës në Ukrainë, Moska është përballur me një shifër viktimash, të ngjashme me atë që ka përjetuar ish-Bashkimi Sovjetik gjatë luftës nëntëvjeçare në Afganistan.

Mbrojtësit ukrainas u kanë rezistuar 11 sulmeve të armikut në 24 orët e fundit, teksa trupat ruse vazhdimisht tentojnë të kalojnë përtej, andaj edhe janë duke përdorur pajisje ajrore për të shkatërruar infrastrukturën, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase më 23 maj.

Në Severodonjeck, guvernatori rajonal, Serhiy Hayday, ka thënë se forcat ruse po tentojnë të rrethojnë qytetin me taktika shtatërruese.

Rusët është thënë se janë duke bërë përparim të kufizuar në këtë qytet ku pritet të nisin rrethim të ri.

Hayday ka thënë se Rusia është duke koncentruar atje trupat që ka pasur fillimisht në rajonin e Harkivit, disa nga Mariupoli si dhe trupa të mobilizuara nga Siberia, për të shtuar sulmet në rajonet Donjeck dhe Luhansk.

Të paktën shatë civilë janë vrarë dhe tetë të tjerë janë plagosur më 22 maj rreth rajonit Donjeck, ka thënë ushtria ukrainase përmes një postimi në Facebook.

Bombardimet ruse dhe sulmet me raketa janë dëgjuar edhe në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv, si dhe në qytetet Mikollaiv dhe Zaporizhja në jug, kanë thënë zyrtarët ukrainas.