Aktualitet

Kanabis në kamper, arrestohen dy persona në Himarë/Shpërdanin në lokale nate!

Dy persona me banim në Tiranë u arrestuan në flagrancë në Himarë duke tregtuar kanabis, të ndarë në doza. Të ndaluarit nga policia janë të moshave 32 e 33-vjeç. Për të mbajtur lëndën narkotike përdornin një kamper, ndërsa klientët ishin kryesisht turistë, në lokalet e natës në Himarë.  Rreth 1 mijë e 500 doza kanabis iu sekuestruan, në kuadër të operacionit policor të koduar “Parts 2”.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Parts 2”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-O. B., 33 vjeç dhe L. H., 32 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në camperin që këta shtetas kishin në përdorim, shërbimet e Policisë gjetën rreth 1 mijë e 500 doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një aparat celular.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për shpërndarjen e dozave të kanabisit, kryesisht për turistët, në lokalet e natës, në qytetin e Himarës.