Aktualitet Politikë

Kaosi dhe zhurma, mbyllet në 20 minuta seanca plenare/Noka i kthehet Bashës!

Seanca e sotme plenare nuk bëri dallim nga të kaluarat. Pjesa e deputetëve të grupeve Bardhi-Berisha që u lejua të ishte në sallë, pamundësoi zhvillimin e punimeve normale duke bllokuar foltoren. Edi Paloka dogji rregulloren e Parlamentit ndërsa jashtë prisnin 23 deputetë që nuk u lejuan të merrnin pjesë pas përjashtimeve me disa ditë për shkak të kaosit në seancat e kaluara.

Flamur Noka spërkati me miell shkallët e Kuvendit, duke simbolizuar vizat e kokainës dhe nuk e kurseu miellin as për punonjësit e Gardës e Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, Genc Gjonçaj.  Po ashtu u hodhën vezë ndaj makinës së ministrit të Brendshëm, Taulant Balla e gjithashtu kundrejt automjetit të Gjonçajt.

Mes zhurmës e bllokimit të foltores, maxhoranca vijoi me miratimin e projektligjeve në rend dite. Por, hoqi atë që rikthen bastet online, si dhe u rrëzua amendamenti i Lulzim Bashës që parashikonte një detyrim të përhershëm të vendit tonë për të ndarë mjete financiare, si ndihmë ushtarake për Kosovën. Ndërkaq, Basha ishte në sallë dhe në dalje e priste Flamur Noka, i cili iu drejtua me fjalë të ashpra:

    Je tradhtar, je i pabesë, je i paburrë, je mercenar!

Ndërsa disa deputetë të opozitës ndodheshin në foltore, Enkelejd Alibeaj ishte i ulur në vendin e tij. Kolegu i “Rithemelimit” Petrit Doda i kërkonte të mos rrinte aty, por t’i afrohej foltores, por Alibeaj vazhdoi të ruante qetësinë me duart e kryqëzuara, ndërsa një efektiv i Gardës largoi Dodën.

Opozita zotohet të përshkallëzojë aksionin pas 20 shkurtit. Flamur Noka deklaroi:

20 shkurti do jetë një ditë e shënuar që do t’i japë një mesazh të madh bandës së pushtetit, narkoshtetit, regjimit të McGonigalit. 20 shkurti do jetë një ditë kur qytetarët dhe populli i lirë opozitar i këtij vendi do ngrihet dhe kur ngrihet populli, nuk ka regjim, nuk ka narkoshtet, nuk ka McGonigal! Ne do ta mbajmë aksionin me çdo formë dhe çdo mënyrë. Pas 20 shkurtit do të shihni një tjetër hap të opozitës edhe në raport me narkoparlamentin e narkoregjimin.

Ndërkaq, Gazment Bardhi komentoi praninë e Lulzim Bashës sot në Kuvend:

Besoj që edhe ju e patë, grupi parlamentar i PS-së kishte shpërndarë një mesazh që deputetët e maxhorancës duhet të paraqiteshin në seancë në orën 09:00. Ndjej keqardhje që disa deputetë me mandat opozitar, i janë përgjigjur këtij urdhri të grupit parlamentar të PS-së. Realisht ndjej keqardhje!