Aktualitet

Kapet autori që vrau oficerin e Krimeve në Lezhë, i vetëplagosur, në gjendje kritike!

Policia e Lezhës jep informacionet e fundit nga vendi ku u vra efektivi Saimir Hoxha. Policia njofton se autori i krimit, 21-vjeçari Aldi Rama ka qëlluar me armë veten dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Pak minuta më parë, burime policore nga vendngjarja thanë se autori është vrarë, por nga informacionet e detajuara dhe me mbërritjen e bluzave të bardha në vendngjarje është konfirmuar se 21-vjeçari ka ende shenja jete.

Lezhë/Informacion shtesë për arrestimin e autorit

Në lidhje me ndjekjen, lokalizmin dhe kapjen e autorit të vrasjes së oficerit të Policisë, forca të shumta të Policisë së Shtetit, prej disa orësh ndjekjeje me helikopter dhe nga toka, kanë bërë të mundur lokalizimin e autorit të ngjarjes, i cili ishte fshehur në zonën e kënetës në “Lagunen Vain”.

Forcat e Policisë kanë krijuar perimetrin e sigurisë dhe i kanë bërë thirrje autorit që të dorëzohej, por autori i ngjarjes, shtetasi Aldi Rama nuk i është përgjigjur thirrjes së Policisë për t’u dorëzuar, por është vetëplagosur me armën e tij. Aktualisht po transportohet nga forcat e Policisë për në spital, në gjendje kritike për jetën.

Në vendngjarje është sekuestruar arma e krimit dhe telefoni i tij celular.