Aktualitet

KAS vendos rihapjen e kutive për 24 qendra votimi në Berat!

Për Qarkun e Beratit do të hapen kutitë në 24 qendra votimi, pas kërkesës ankimore të LSI-së që kërkoi rinumërim në këto qendra zgjedhore.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, KAS vendosi sot administrimin dhe marrjen si prova të disa prej materialeve e dokumenteve për 24 qendrat e votimit dorëzuar nga LSI-ja duke kërkuar nga administrata e KQZ-së që të merret me transportin dhe hapjen e kutive të këtyre qendrave.

Ankesa e LSI-së është se kutitë në këto qendra votimi janë mbushur dhe ka më shumë fletë votimi se votues e se në disa prej tyre mungon dhe regjistri se kush ka votuar, prova që janë pranuar të administrohen nga KAS-i.

Fillimisht bëhet administrimi i provave të nxjerra nga procesverbalet dhe regjistri i zgjedhësve në këto qendra votimi, për të parë nëse ka gabime apo mospërputhje të të dhënave. Më pas pritet vendim tjetër nëse do të ketë rinumërim apo jo të votave në këto kuti votimi.

Në seancën e drejtuar nga anëtari i KAS-it, Elvis Çefa, si provë u pranua edhe kërkesa e PD-AN për të dhënat e kryqëzuara nga pajisja e identifikimit elektronik të zgjedhësve, ku PD-AN pretendon se ka pasur votim të dyfishtë apo familjar.

Ngarkohet administrata e KQZ-së për të marrë të gjitha masat për transportin dhe hapjen e kutive të sipërpërmendura për administrimin e provave të sipërcituara. KAS me shumicë votash vendosi mospranimin e kërkesës së PD-AN për marrjen e provave dhe informacioneve shtesë të cituara në kërkesën ankimore. Me kërkesë timen dhe Ledio Brahos, dy anëtarëve të KAS, vendosëm të administrojmë si provë të dhënat e kryqëzuara të pajisjes së identifikimit elektronik të zgjedhësve të zonës zgjedhore së Qarkut Berat për të bërë të mundur evidentimin e votimeve të dyfishta ose familjare sipas pretendimit të bërë nga PD-AN.

Ndërkohë, KAS ka hedhur poshtë kërkesën e PD-AN për marrjen e informacioneve dhe provave shtesë. Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Ivi Kaso e cilësoi këtë vendim të paligjshëm se sipas tij, KAS-i e ka detyrim ligjor që t’i vërë në dispozicion palëve garuese në zgjedhje prova që ata vetë nuk kanë mundur t’i sigurojnë.