Aktualitet Politikë

Reforma Zgjedhore, Meta: Vota e emigrantëve kusht i panegociueshëm!

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se votimi i emigrantëve është një kusht i panegociueshëm i opozitës sa i takon ndryshimeve të Reformës Zgjedhore. Në një konferencë për mediat, Meta tha se Reforma Zgjedhore do duhet t’i japë zgjidhje të gjithë atyre problematikave që janë evidentuar nga raportet e OSBE/ODHIR për dy zgjedhjet e fundit, ato parlamentare të vitit 2021, si edhe të 14 majit.

“Votimi i emigrantëve është një domosdoshmëri që s’duhet shtyrë më, së dyti kemi bërë të qartë se reforma zgjedhore duhet të adresojë dhe t’i japë zgjidhje dhe një ndëshkim për ato fenomene të vërejtura nga ODHIR, si për zgjedhjet parlamentare të 2021 dhe ato të 14 majit. Në këtë drejtim qëndrimet e opozitës janë të qarta dhe të panegociueshme”, tha Meta.

Sa i takon procesit të rienergjizimit që ka nisur PS, për Metën është thjesht një fasadë. Sipas tij, qëllimi i PS është grabitja e zgjedhjeve.

“Shfaqjet me anëtarësime të reja janë tregues paniku të lidershipit të PS, për manifestimin e 20 shkurtit dhe për një proces bashkimi të opozitës dhe absolutisht që është e qartë që janë fasada. Qëllimi i PS është grabitja e zgjedhjeve, është thjesht një fushatë mashtruese kur dihet pakënaqësia popullore ndaj kësaj qeverie”, tha Meta.

Ndërkohë, kreu i PL shprehet se kanë nisur riorganizimin e partisë në bazë me synim forcimin e saj.

“Sa i takon PL, kemi nisur riorganizimin në gjithë vendin, proces që forcon PL. Sa i takon raportit të PL me opozitën ka qenë një raport stoik madje me kosto të mëdha për PL apo ish-LSI”, vijoi Meta.

Meta foli është për situatën ekonomike në vend, duke thënë se vitin që lamë pas 12 mijë biznese kanë mbyllur aktivitetin e tyre. Meta tha se kjo tregon situatën e rëndë ekonomike dhe se si qeveria ka goditur bizneset me taksa të larta arbitrare.

“Do doja sot të ndaja sot një shqetësim shumë konkret dhe njëkohësisht tepër problematik pasi viti që lamë pas, u mbyll me një bilanc tepër të rëndë për biznesin, kur mbi 12 mijë biznese kanë vendosur të mbyllin aktivitetin e tyre.

Shqipëria numëron rreth 120 mijë biznese aktive në total, cka do të thotë se vetëm gjatë vitit që lamë pas, 10% e totalit të bizneseve në vend kanë vendosur të pezullojnë aktivitetin. Mbyllja e mbi 12 mijë bizneseve në mbarë vendin, është dëshmia më e qartë e situatës tepër të rëndë ekonomike ku ndodhemi.

Të goditura nga taksat e larta arbitrare dhe të pa paralajmëruara të Qeverisë dhe nga tarifat e papërballueshme të pushtetit lokal, nga gjobat arbitrare, nga korrupsioni dhe informaliteti që ka kapur qiellin, bizneset po falimentojnë dhe po ulin masivisht qepenat duke goditur në mënyrë të drejtëpërdrejtë ekonomitë familjare dhe lënë pa të ardhura dhjetëra mijëra  qytetarë të tjerë”, tha Meta.