Celebrities Film & Tv

Kina censuron serialin ‘Friends’, irritohen fansat!

Platformat kryesore të transmetimit kinez kanë censuruar një episod në serialin televiziv të njohur “Friends”, duke bërë që fansat e serialit të shprehin zemërimin e tyre në mediat sociale. Bëhet fjalë për episodin e parë, ku Ross tregon se gruaja e tij e la për një tjetër grua, duke nënkuptuar që ajo ishte lezbike. Skenat me diskutimet për këtë gjë janë fshirë të gjitha, ndërkohë që janë censuruar edhe biseda të tjera që kanë lidhje me seksin.

Seriali “Friends”, me protagonistë Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc, Matthew Perry dhe David Schwimmer është shumë popullor edhe në Kinë. Transmetimi i tij në Kinë nisi në platformat Sohu dhe iQiyi, në vitin 2012, pa kurrfarë censure, deri në vitin 2013, kur dhe përfundoi marrëveshja e transmetimit. Pas suksesit që pati specialja “Friends: The Reunion”, ku 6 aktorët u bënë sërish bashkë për të kujtuar të veçanta nga xhirimet, platformat kineze blenë sërish të drejtat e transmetimit të këtij seriali. Duke nisur nga 11 shkurti, Bilibili, Tencent, Youku, Sohu dhe iQiyi ofrojnë sërish episodet e “Friends”, por kësaj radhe, të censuruara.

Fansat kanë protestuar ndaj censurës së shfaqjes, me hashtagun #FriendsCensored. Hashtag-u mori më shumë se 54 milionë shikime por më vonë u censurua nga platforma. Censura është rezultat i shtrëngimit të kontrollit të qeverisë kineze ndaj mediave dhe argëtimit. Në vitin 2016, Kina lëshoi udhëzime të reja duke thënë se shfaqjet televizive nuk duhet të përfshijnë linja historish që përfshijnë marrëdhëniet e homoseksualëve, si dhe tema të tjera që ekzagjerojnë anën e errët të shoqërisë. Dokumenti me 8 faqe i referohej përmbajtjes vulgare, imorale dhe jo të shëndetshme dhe konsideronte homoseksualitetin, marrëdhëniet jashtëmartesore, qëndrimet e një nate dhe dashurinë e të miturve si të ndaluara.