Art & Kulturë Celebrities Film & Tv

“One Day” një serial i denjë për romantikët e pandreqshëm dhe mosbesuesit ndaj dashurisë, që do bien brenda pak minuta nga episodi i parë. Kritikë.

Në 2009 David Nicholls do të publikonte një roman, i cili shumë shpejt do të kthehej në një best-seller (shumë i shitur). Në të Z. Nicholls shkruante për dy të rinj, të cilët takohen në 15 Korrik të 1988 në festën e diplomimit në Universitetin e Edinburgut. Ajo që do të ishte hera e tyre parë do të kthehet në fillesën e një miqësie që zgjat 20 vjet dhe autori i rigjen ata dhe jetët e tyre çdo 15 Korrik në 20 vite.

Suksesi i librit do të zgjonte interesin e menjëhershëm e Hollywood-it, i cili dy vite më vonë do të sillte ekranizimin e tij me protagonistë një Anne Hathaway fare të njomë dhe Jim Sturgers në rolet e protagonistëve, Emma dhe Dexter. Historia e mrekullueshme e dashurisë së të dyve do duhej të tregohej në shumë pak kohë në një film i cili përpos përpjekjeve qëlloi të ishte disi i cekët  dhe pavarësisht premisës së një drame therrëse nuk arriti të lidhte lexuesin me shikuesin; edhe ata që nuk kishin lexuar ndonjëherë librin, filmi u erdhi i ftohtë, i bardhë, pa thellësi.

11 vite më vonë nga filmi ‘Netflix’ do të merrte vendimin për të kthyer atë ose më saktë librin në një serial të kufizuar, i cili ja del të të thyejë zemrën pavarësisht nëse je apo jo në një lidhje (të lumtur ose jo dashurie).

Menjëherë do të kthehej në një stuhi në rrjetet sociale e njëkohësisht në titullin më të luajtur në pjesën më të madhe të botës. Kimia e protagonistëve, historia romantike e melankolike, kolona zanore fantastike është një kombinim perfekt për një kohë që nuk është më dhe për të cilën nostalgjia idilike është prominente.

Dexter-i i Leo Woodall dhe Emma e Ambika Mod qëndrojnë shumë më lart Anne Hathaway dhe Jim Sturgess (loja e të cilëve u pasua nga kritika të vakëta në shtypin e asaj kohe). Seriali gjithashtu i jep mundësinë publikut të përjetojë më mirë 20 vitet e miqësisë ndarjes dhe dashurisë së Dexterit dhe Emmës prej 1988 kur ishin në universtiet deri në 2008. Nisur nga një natë që do të duhej të ishte një one-night-stand dyshja vendosin të ngelin miq pavarësisht ndjesive të tyre të forta karshi njëri-tjetrit. Ndërsa vitet rrokullisen jeta e të dyëve shkon nëpër ulje ngritje të vazhdueshme duke u puqur herë pas here pavarësisht dëshirës së tyre për të qënë drejtëza të kithëta.

Ajo që e bën “One Day” kaq tërheqës është magnetizmi mes dy figurave qëndrore të serialit të cilët duket sikur ushqejnë keq-komunikimin mes tyre. I denjë për romantikët e pashpresë historia e tyre ka oshilacione të vazhdueshme mes momenteve tejet të sikletshme tek një tërheqje tragjike. Kjo xhiro prej 14 serish do t’iu lërë të mbuluar në lot.

Problemi kryesor i çiftit është tendenca e tyre e vazhdueshme për të mos qënë të ndershëm me njëri-tjetrin, për të mos i thënë tjetrit atë që mendojnë me të vërtetë,  mbase edhe për të mos ja thënë vetes këtë.

Interpretimi i Woodall dhe Mod është thellësisht i besueshëm, tmerrësisht emocional dhe i besueshëm. Shembjet emocionale të Woodall në disa momente shoqëruar nga materiale muzikore të përzgjedhura me një kujdes prej kirurgu të thyejnë diçka brenda teje. Kolona zanore e filmit do të kthehet gati menjëherë në shoqëruesen të jetës suaj, një mbas-shije që do të zgjasë e zgjasë. Edhe pse trishtimi prevalon, ky është një rrugëtim i cili përshkruan me një balancë farmacisti mes dhimbjes dhe shpresës, çaste të embla dhe të hidhura, mes fitimesh dhe humbjesh në një jetë në dukje mondane por aspak të mërzitshme. Nëse nuk e keni parë filmin, apo lexuar librin nuk kam ndërmend t’iu prish asgjë  sepse duhet ta shihni.

Një histori për kohën e humbur, e cila do t’iu bëjë të ri-vlerësoni thellësisht të tashmen tuaj. Është një ngjarje televizive e cila sherben po aq shumë sa një seancë e gjatë terapie.

Sepse të gjithë ne do vuajmë me doemos një nga këto dhimbje, dhimbjen e të jetuarit ose dhimbjen e pendimit.

“One Day” është në Netflix.