Aktualitet

Kishte tri gra, por abuzonte edhe me një të mitur, KSHM reagon për mjekun e arrestuar!

Komuniteti Mysliman Shqiptar ka reaguar në lidhje me arrestimin e Dervish Hasit, i cili ishte i martuar me tre gra dhe ndërkohë abuzonte dhe një vajzë të mitur.

Reagimi i KMSH ka ardhur pas spekulimeve se mjeku me profesion kirurg ishte praktikant i fesë myslimane.

KMSH shprehet se, ashtu si çdo fe tjetër, nuk mbajnë regjistër me të dhëna psikologjike apo devijime të natyrave të ndryshme të njerëzve, qofshin frekuentues ose jo të objekteve tona të kultit.

“Ne distancohemi nga çdo individ apo grup që keqpërdor fenë për qëllime të ulëta”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Deklaratë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë

Në përgjigje të pyetjeve të shumta nga mediat për rastin e arrestimit të një mjeku të dyshuar për abuzim dhe vepra të tjera sqarojmë sa më poshtë vijon:

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është një institucion fetar, i cili ushtron aktivitetin e tij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Shqipërisë.

Është institucion që merret me jetën fetare dhe përçimin e mesazhit të qartë e të pastër islam në vendin tonë, gjë të cilën prej një shekulli e ushtron në përputhje me parimet më të larta fetare dhe konform ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Ne e gjejmë të pavend interesimin e lartë për një çështje që nuk i përket KMSh-së, por organeve ligjzbatuese të shtetit shqiptar.

Komuniteti Mysliman, ashtu si çdo fe tjetër, nuk mban regjistër me të dhëna psikologjike apo devijime të natyrave të ndryshme të njerëzve, qofshin frekuentues ose jo të objekteve tona të kultit.

Ne distancohemi nga çdo individ apo grup që keqpërdor fenë për qëllime të ulëta.

Lusim mediat dhe opinionin publik që të jenë korrekt dhe të kujdesshëm në citimet e tyre gjatë raportimit të ngjarjeve të ngjashme.

Një individ që është objekt për oganet ligjzbatuese nuk mund të jetë asgjë më shumë se kaq.

Ne distancohemi nga çdo individ që kryen akte të ulëta e të shëmtuara, aq më tepër duke u strukur pas besimit.

Islami është fe e paqes, moralit të lartë dhe drejtësisë!