Sport

Klasifikimi i fazës së tretë, Partizani kthehet në skuadër mbijetese, po ashtu edhe Tirana

Nëse për 2023-shin Partizani ishte skuadra që grumbulloi më shumë pikë dhe u shpall kampion i vitit kalendarik, janari nuk ka ardhur me këmbën e mbarë për të kuqtë, që në shtatë ndeshje në Kategorinë Superiore në vitin 2024 kanë arritur të grumbullojnë vetëm 8 pikë. Gjithçka nisi me një fitore ndaj Teutës, ku “demat” arritën të shënonin një gol me penallti të Tedi Carës dhe e ruajtën avantazhin deri në fund. Kjo fitore u duk sikur e hoqi tersin e barazimeve, por u pasua me një humbje me përmbysje ndaj Laçit, një ndeshje dramatike, që la gjurmë edhe në ecurinë e ndeshjeve pasardhëse. Në një kalendar “ferri” të kuqtë u ndeshën me Vllazninë dhe Egnatian, ku arritën dy barazime identike, 1- 1. Pas kësaj, erdhi humbja në derbin ndaj Dinamos sërish me përmbysje 1-2. Gjithsesi, kur u duk se po hynin në një krizë të thellë, të kuqtë fituan derbin me “remuntada” dhe u kthyen të bënin skuadrën lidere. Por madhështia e asaj fitoreje u shua shpejt, pasi Skënderbeu i bëri rezistencë dhe i mori një fitore me shifrat 1-0 me penallti të Dean Liços.

Kështu, nëse renditja do të niste nga 1 janari, Partizani do të ishte duke diskutuar vendin e tetë, që të çon në “play out”. Pavarësisht se në tabelën në të djathtë paraqitet vetëm renditja e këtij viti, është për tu theksuar se “thatësira” për pikë te Partizani erdhi para se të mbërrinte Shehi. Ky i fundit e mori skuadrën pas një serie barazimesh dhe po rreket ta ringrejë e ta bëjë gati për titull. Mbetet të shihet sesa do t’ia dalë.