Rajoni

Komandant Jashari nervozon Serbinë: Kosova po dërgon sinjale të forta!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani emëroi Bashkim Jasharin, nipin e komandantit legjendar, Adem Jashari, në krye të ushtrisë së Kosovës, pas propozimit të bërë nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe rekomandimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Jashari do ta zëvendësojë në këtë post komandantin e deritashëm, Rrahman Rama, i cili thuhet të ketë dhënë dorëheqjen. Emërimi i Jasharit ka nervozuar Serbinë. Profesor doktor Enver Bytyci thotë se në Beograd duken të shqetësuar nga kjo lëvizje e presidentes Osmani.

Pas buxhetit prej 100 milion euro për ushtrinë, ky vendim jep dëshmi të seriozitetit që ka qeveria e sotme për ta mbrojtur Kosovën nga ndonjë provokim dhe agresion të Serbisë. Këto janë sinjale për Beogradin, shprehet Bytyçi.

Ai megjithatë i bën thirrje kryeministrit të mos ndalet vetëm me këtë emërim dhe argumenton se nevojitet mbështetje e plotë për gjithçka, me qëllim që Forcat e Sigurisë dhe ushtria e Kosovës të shndërrohen në aset dhe garanci të pakontestueshme për vendin.

“Jam i sigurt se dëshira dhe pasioni në FSK e Ushtri janë në shkallën maksimale”.

Thjesht ato duhen mbështetur financiarisht dhe moralisht nga qeveria dhe institucionet e vendit, me qëllim që kjo ushtri të konkurrojë në ushtritë moderne të NATO-s! Pra të prodhojë stabilitet, paqe e siguri jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”, shprehet ai.

Por, kush është Bashkim Jashari, nipi i legjendarit Adem Jashari që mori në duar FSK-në.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, ka dhënë dorëheqjen nga ky post dhe në vend të tij është emëruar Bashkim Jashari. Pas emërimit, në Ministrinë e Mbrojtjes është kryer procedura e pranim-dorëzimit të detyrës. Më herët, Bashkim Jashari ka qenë shef i Inspektoratit të FSK-së. Por, kush është Bashkim Jashari?

Gjeneralmajor Bashkim Jashari, djali i Rifat Jasharit dhe nipi i komandantit legjendar Adem Jashari, shërbente si Shef i Inspektoratit gjeneral në ministrinë e FSK-së, si gjeneral brigade. Para disa vitesh, Jashari u gradua nga gjeneral brigade në gjeneral major nga ish-presidenti Thaçi.

Në mars të vitit 1998, Adem Jashari dhe 58 anëtarë të familjes së tij u vranë nga forcat serbe në shtëpinë e tyre në Prekaz, duke përfshirë 28 gra dhe fëmijë. Ngjarja që shënoi një pikë kthese në luftën e Kosovës për pavarësi. Familja i rezistoi një sulmi treditor nga forcat serbe në atë që shpesh shihet si fillimi i fundit të okupimit për shqiptarët e Kosovës. E vetmja e mbijetuar nga sulmi është Besarta Jashari, e cila në atë kohë ishte 11 vjeçe.

Në familjen Jashari ka një traditë. Secili prej tyre duhett t’ua përtërijnë emrat anëtarëve që humbën. Bashkimi i cili edhe me bashkëluftëtarët e tjerë nuk iu nda Adem Jasharit duke luftuar në kullë më 5, 6 dhe 7 mars, Bilal e Ragip Jashari, kishte arritur ta shpërthejë rrethimin dhe të dalë i gjallë nga kulla, ka përtërirë emrin e vëllait të tij, Igballit, ndërkohë që dy djemve të tjerë ua ka lënë emrat Bardhi dhe Ylli.

Për marrjen e postit të ri, atë e ka uruar edhe ministri Armend Mehaj i cili u shpreh se ka nderin dhe privilegjin të bashkëpunojë me njërin nga bashkëluftëtarët dhe nipin e komandantëve legjendarë Adem dhe Hamëz Jashari.